AktualitetBota+Të fundit

Merkel: Problemi i Sirisë nuk mund të zgjidhet pa vendet e rajonit dhe Evropën

“Ka nevojë për përpjekjet e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe Turqinë për zgjidhjen e çështjes siriane”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel

– Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se në një botë ku krizat janë rritur dhe çdo gjë është bërë më komplekse vendet evropiane duhet të rrisin bashkëpunimin mes tyre. Ajo shtoi se ka nevojë për përpjekjet e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe Turqinë për zgjidhjen e çështjes siriane.

“Kjo krizë nuk mund të zgjidhet pa Rusinë, Turqinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe në përgjithësi Evropën”, theksoi Merkel në një fjalim në Parlamentin federal (Bundestag) e cila bëri të ditur se ka nevojë për zgjidhje politike në Siri. Sipas saj, gjysma e popullatës së Sirisë është larguar nga konfliktet dhe se lufta kundër DEASH-it po kthehet në një krizë të madhe në rajon.

“Vendet evropiane deri tani kanë qenë të pamjaftueshme në zgjidhjen e krizës, kështu që tani Gjermania po bën përpjekje për zgjidhjen e krizës duke krijuar një grup me SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Jordaninë dhe Arabinë Saudite”, deklaroi Merkel duke shtuar se “Në anën tjetër, natyrisht, Turqia, Irani dhe Rusia të cilat kanë formuar Grupin Astana duhet gjithashtu të përfshihen në negociata”.

Kancelarja gjermane tërhoqi vëmendjen në çështjet si përdorimi i armëve kimike në Siri, vendimi i SHBA-ve për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, sulmet e Iranit në Lartësitë e Golanit në drejtim të Izraelit, mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-ve dhe BE-së, konfliktet në vazhdim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, ngjarjet terroriste në botë si dhe për palestinezët e vrarë dhe të plagosur në protestat e zhvilluara gjatë ceremonisë së themelimit të shtetit të Izraelit.

“Ne i shohim çdo ditë këto ngjarje të cilat na tregojnë se jetojmë në një botë jo të qetë dhe komplekse. Tashmë ne gjithashtu e dimë se ne nuk mund të abstrakojmë veten nga këto ngjarje”, potencoi Merkel.

Ajo tha se zhvillimet në Libi pas përmbysjes së Gadafit, lufta civile në Siri dhe lufta që vazhdon kundër DEASH-it kanë kërcënuar sigurinë e Evropës në masë të madhe. “Siguria jonë varet domosdoshmërisht nga fqinjët tanë. Gjermania si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ka nevojë për aleanca për sigurinë e saj”, vlerësoi Merkel.

Kancelarja gjermane bëri të ditur se pavarësisht pikëpmajve të ndara në çështjen e programit të raketave balistike të Iranit, është përcaktuar se ky vend ka zbatuar kushtet në lidhje me marrëveshjen bërthamore dhe se për këtë arsye janë pro vazhdimit të marrëveshjes bërthamore me Iranin e cila është arritur pas shumë përpjekjeve intensive.

Në vlerësimin e saj lidhur me këtë, Merkel tha se “Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera të BE-së mendojmë se me kushtet aktuale nuk do të jetë i drejtë anulimi i marrëveshjes”. /Anadolu Agency

 

Fraksion.com