AktualitetBota+Life StyleTë fundit

Kalifornia orientohet drejt energjisë diellore

Kalifornia është tashmë shteti i parë amerikan që ka vendosur kriterin e paneleve diellore për shtëpitë e reja që do të ndërtohen nga viti 2020. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, njofton se shteti i Kalifornisë është në krye të përpjekjeve për zvogëlimin e gazit të karbonit që çlirohet në atmosferë, ndërkohë që Uashingtoni ka objektiva më pak ambicioze.

Ndërsa Presidenti Donald Trump dhe zyrtarët amerikanë të mjedisit po zbusin rregullat për ndotjen, Kalifornia po lëviz drejt energjisë diellore. 40% e të gjithë paneleve diellore në SHBA, gjenden që tani në këtë shtet, ku kompanitë e shërbimeve komunale po promovojnë panelet diellore.

“Mbi një çerek milionë klientë, banorë dhe biznese, kanë instaluar tashmë panele diellore në pronat e tyre. Po e rrisim këtë numër me rreth 4 – 5 mijë lidhje të reja në muaj”, thotë Jill Anderson, e kompanisë “South California Edison”.

Mandati i ri legjislativ do ta bëjë energjinë diellore pothuajse universale, ndërkohë që edhe burimet e energjisë së pastër po bëhen më të lira.

“Po zbulojmë se tashmë energjia diellore dhe ajo nga era janë shpesh variantet më të lira. Arizona organizoi një tender ofertash, dhe energjia diellore iu ofrua me një çmim nën 2 cent për kilowat/orë. Konkurenti më i afërt ishte qymyrguri, por me një çmim mbi dyfish”, thotë Daniel Kammen, i Universitetit të Kalifornisë.

Por, kritikët ankohen se detyrimi për vendosjen e paneleve diellore do të rrisë kostot e ndërtimit me rreth 10 mijë dollarë për shtëpi.

Një ekspert i energjisë diellore thotë se megjithatë është me leverdi për ata që do të blejnë shtëpinë.

“Nëse nuk vendosen panelet, ndoshta mund të kursehet diçka gjatë ndërtimit. Por, nuk do të ishte veprim i mençur nga pikëpamja financiare dhe shoqërore”, thotë Peter Saeta, i Kolegjit “Harvey Mudd”.

Zoti Saeta thotë se energjia diellore nuk ndot ajrin dhe se pronarët e shtëpive do ta rifitojnë investimin e tyre nëpërmjet kursimeve të mëdha në energji.

Zyrtarët e shtetit të Kalifornisë kanë premtuar të ulin me 40% nivelin e ndotjes, deri në vitin 2030./VOA

 

Fraksion.com