Vasili: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale pa miratimin tim
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i është përgjigjur dje kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili deklaroi se ndryshimet në kodin e procedurës penale janë pranuar dhe nga Vasili, i cili në atë kohë ishte ministër i Drejtësisë.
Në një konferencë për shtyp, Vasili deklaroi se ndryshimi nuk u tha, nuk u evidentua, por u fut tinëz si një lojë.
Ai tha se i kanë dërguar e-mail kur ishte ministër, por në asnjë rast nuk kanë marrë miratimin e tij.
“Pra ndryshimi nuk u tha, nuk u evidentua, nuk u verbalizua, u fut tinëz si një lojë emailesh, duke shndërruar komunikimin serioz, komunikimin zyrtar, komunikimin që mbetet, në lojë emailesh, në lojë Whatsapp-esh, në lojë twitter-ash dhe lojë e të gjitha mjeteve informale të komunikimit.
Dëgjova me shumë kërshëri edhe gënjeshtrën e Ulsi Manjës, i cili për shkak të qejfit të madh dhe të partizanllëkut diletant dhe provincial është gati të shkatërrojë jo Reformën në Drejtësi, por të gjitha reformat që janë në këtë vend, boll që të rrijë në parlament dhe të vegjetojë atje, punë e tij”, – tha Vasili.
Sipas tij, është manipuluar Parlamenti shqiptar dhe manipulimi i nenit është i dukshëm”. “Jemi të gatshëm, e kam për të thënë dhe po e them përsëri, një komision hetimor do të mblidhej, do të kishte detyrën më të lehtë në botë, se dokumentet janë kaq të qarta dhe kaq të thjeshta, për të kuptuar që manipulimi është aty, sa s’ka ku të vejë më. U përpoqën të devijojnë një proces parlamentar korrekt. Të zbatosh Reformën në Drejtësi do të thotë që të jesh respektuesi i parë i ligjit dhe jo Reforma në Drejtësi të fillonte me manipulime, siç e filluan këta”, – tha Vasili. /atsh
Fraksion.com