AktualitetPolitikëTë fundit

Takimi Rama – Makron: 45 minuta “kokë më kokë”

Kryeministri Edi Rama ka takuar presidentin francez Emmanuel Macron. Në një video të postuar në Facebook, Rama tregon momentin e pritjes nga Macron në Pallatin Elysée.

Takimi mes tyre vjen pak ditë përpara se Këshilli i Europës të japë qëndrimin e tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Burime nga delegacioni shqiptar bënë me dije për Top Channel se Macron dhe Rama kanë qëndruar kokë më kokë për 45 minuta.

Presidenti Francez mësohet se është shprehur me nota shumë pozitive për reformat, sidomos ajo në drejtësi, ndërkohë që burime nga delegacioni shqiptar theksojnë se Macron ka vlerësuar edhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një shqetësim i hershëm i për Francën ka qenë çështja e azilantëve shqiptarë, për të cilën Presidenti Macron mësohet se ka falënderuar Kryeministrin Rama për bashkëpunimin me institucionet e specializuara franceze, për të frenuar fenomenin e atyre që abuzojnë me sistemin e azilkërkimit.

Kryeministri Rama nga ana e tij ka ngulur këmbë në mënyrë insistuese duke kërkuar që në fund të qershorit Franca t’i njohë Shqipërisë meritën në procesin e integrimit evropian dhe të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në përgjigje, Presidenti Macron mësohet se ka theksuar se strukturat përkatëse në Paris janë angazhuar seriozisht në leximin e detajuar të raport të Komisionit Europian dhe në javët në vijim do të formësojnë edhe qëndrimin përfundimtar të Francës.

Rajoni dhe roli i Shqipërisë në të ka qenë tjetër temë e takimit, së bashku me samitin e Sofjes, ku Macron është shprehur se do të mbajë një fjalë tepër të rëndësishme. Për sa i përket politikës së jashtme të Tiranës, Presidenti francez ka vlerësuar koherencën e Shqipërisë dhe linjën e saj të konsoliduar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian.

Franca është një nga skeptikët për zgjerimin e BE, dhe Rama do t’i kërkojë Macron votën pro për Shqipërinë.

 

Fraksion.com