Pas lehtësimit nga TVSH, hotelet shqiptare nisin rritjen e çmimeve prej fluksit të turistëve
Qeveria ka lehtësuar vitin e kaluar sektorin e hotelerisë nga taksat, por çmimet e akomodimit po vijnë në rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, ndryshimi vjetor i çmimeve në shërbimet e akomodimit nisi të rritej në nëntorin e vitit të kaluar dhe po vjen gjithnjë e në trend rritës.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, për të lehtësuar shërbimet e turizmit, qeveria ka reduktuar TVSH-në në shërbimet e akomodimit dhe furnizimit në 6% nga 20% që ishte më parë, duke e vënë strukturat akomoduese shqiptare në një garë të barabartë me bizneset e rajonit që prej vitesh aplikojnë TVSH të diferencuar.
Por burimet nga tregu pohojnë se rritja e çmimeve të hotelerisë është duke e nxitur nga kërkesa gjithnjë e ne rritje për këto shërbime. Turistët nga Europa Perëndimore po rriten dhe hotelet janë të zëna një vit në avancë.
Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar raportuan se janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017.
Menaxherët e Rafaelo Resort në Shëngjin thanë se gati gjysma e kapaciteteve për 2018, rreth 130 dhoma, janë tashmë të prenotuara nga agjencitë çeke dhe polake, duke pohuar se kërkesa këtë vit është dukshëm më e lartë. Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hoteleve të mëdha në zonën e Durrësit, Dolce Vita dhe Fafa Resort.
Shqipëria është vizituar nga një numër rekord të huajsh në vitin 2017, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT.
Në total, në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Gati gjysma e tyre erdhën për qëllime turistike.
Ndonëse gradualisht po e braktisin vendin amë, shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë vendin e parë për sa i përket numrit të të huajve në vend, me 34% të totalit (nga 45% që ishte pesha e tyre vitin në 2016-n).
Shqipëria po shndërrohet në atraksion për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia, teksa vendi ynë vijon të jetë në fokusin e mediave të huaja që shkruajnë për bukuritë e tij dhe alternativën e çmimeve të lira. Në 2017-n, të huajt nga shtetet e tjera e neutralizuan efektin e ikjes së pushuesve nga Kosova./Monitor
Fraksion.com