Kosovë: Sezoni i verës rrit dërgesat e diasporës
Dërgesat nga diaspora në Kosovë vazhdojnë të paraqesin një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare. Po ashtu, ato paraqesin burime që sigurojnë gjendje stabile sociale dhe këto para kryesisht shkojnë në konsum të familjeve dhe shumë pak për investime në biznes.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), remitencat nga diaspora brenda një viti shkojnë në mbi 750 milionë euro.
“Remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2017 shënuan vlerën prej 759.3 milionë euro, kurse në vitin 2016 u dërguan 691 milionë euro. Në dy muajt e parë të vitit 2018 janë dërguar 108.3 milionë euro”, thuhet në buletinin mujor statistikor të BQK-së, shkruan Telegrafi.
Dërgesat e diasporës, sipas kanaleve të dërgimit më së shumti dërgohen nga agjencitë për transferim të parave, ndjekur nga kanalet e tjera të dërgimit dhe bankat.
Karakteristikë e dërgesave është se ato shtohen në muajt e verës, kur edhe vetë diaspora kthehet për pushime në Kosovë.
Gjatë vitit 2017, ishte muaji qershor dhe gusht që u dërguan më shumë para, 71.1 milionë euro. Mirëpo, mesatarja mujore e dërgesave është 63.28 milionë euro.
Përveç remitencave që dërgohen vazhdimisht në Kosovë, shuma të mëdha të mjeteve financiare emigrantët nga Kosova shpenzojnë edhe kur vijnë për pushime, sidomos gjatë stinës së verës.
Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, në emisionin “Përballje”, ka thënë se janë diku 600 deri në 650 milionë euro që mërgimtarët i shpenzojnë kur vinë në vizitë në Kosovë.
Sipas tij, remitancat janë njëri prej mekanizmave kryesore për të ruajtur paqen sociale në vend.
“Remitancat janë njëri prej mekanizmave kryesore për të ruajtur paqen sociale në vend, ndonëse në mënyrë krejt indirekte ato ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka shtuar Murati.
Kryetari i Komisionit të Integrimit në Këshillin Rinor Bavarez, Arbion Gashi, ka thënë se gjithash diaspora duhet të shihet si potencial dhe burim i rëndësishëm njerëzor.
“Mendoj që njëra prej problemeve kryesore në organizim dhe arritjen e rezultateve është se flitet shumë, por nuk punohet njëjtë”, ka thënë Gashi në emision “Përballje”.
Kurse, Liza Gashi, nga organizata “Germin”, ka theksuar se ka ardhur koha që diaspora të mos shihet vetëm si mundësi për të dërguar remitenca.
“Fatkeqësi është se si në shekullin XXI-të, kemi probleme me të drejtat bazike të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Diaspora nuk duhet të shihet si temë e rëndësishme kur flasim për remitenca. Ata kanë shumë më shumë fuqi, sepse pothuajse pjesa më e ndritur e shqiptarëve jetojnë në diasporë, dhe këtu mund të hynte edhe pjesa dhe kontributi i tyre në rrafshin profesional”, ka shtuar Gashi.
Këto dërgesa vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende nga të cilat dërgohen 39.4 për qind, përkatësisht 21.8 për qind të totalit. Një pjesë e konsiderueshme e remitencave është pranuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjegjësisht 7.1 për qind e gjithsej remitencave të pranuara.
Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.