AktualitetPolitikëTë fundit

‘Washington Post’: Saimir Tahiri mund të dënohet me 15 vite burg

Dosja “Tahiri” është kthyer në një subjekt interesant hulumtimi dhe shkrimesh edhe për mediat ndërkombëtare. Lajmi i bujshëm për vendosjen e masës “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm ka mbërritur deri në SHBA, ku “The Washington Post” shkruan se Tahiri mund të dënohet me 15 vite burg nëse akuzat për të provohen nga organet e drejtësisë.

Shkrimi i The Washington Post:

Një ish-ministër i brendshëm shqiptar u vu në arrest shtëpiak të shtunën, ndërsa ai u hetua për marrjen e ryshfetit dhe përfshirjen e supozuar në një rrjet të trafikut të drogës, tha zyra e prokurorit të lartë të Shqipërisë.

Prokurorët kishin kërkuar që Saimir Tahiri të mbahej në paraburgim, por Denion Ndrenika, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, tha se gjykata e vendosi nën arrest shtëpiak.

Tahiri, 48 vjeç, ishte ministër i brendshëm gjatë viteve 2013-2017 në qeverinë socialiste të Shqipërisë dhe dha dorëheqjen si një ligjvënës një javë më parë. Ai akuzohet për lidhje me një grup kriminal të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të kanabisit. Disa nga liderët e rrjetit të trafikimit u arrestuan në Itali dhe Shqipëri.

Tahiri ka mohuar me forcë lidhjet me grupin. Ai është nën hetim për shtatë muaj. Nëse dënohet për akuzat për drogë dhe korrupsion, ai përballet me një dënim maksimal me burg prej 15 vjetësh.

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, tha se prokurorët nuk kanë paraqitur dëshmi të reja që justifikojnë kufizimet në lirinë e klientit të tij. Haxhia tha se do të apelojë vendimin e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, Tiranë.

Kryeministri Edi Rama tha se ai respekton vendimin e gjykatës dhe bëri thirrje për “një proces të pavarur, transparent”. Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri përshëndeti arrestimin e Tahirit, duke thënë në një deklaratë se “ky rast i rëndësishëm korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”./gazeta shqip