Trump, thirrje për lehtësimin e masave ndaj kompanisë kineze
Presidenti Donald Trump thotë se po përpiqet të gjejë një mënyrë për ta lejuar një kompani teknologjike kineze “që t’i rikthehehet menjëherë biznesit”, pasi një masë tregtare nga Shtetet e Bashkuara e dëmtoi atë rëndë.
Trump është ankuar shpesh se Kina i ka grabitur Shteteve të Bashkuara, vendet e punës. Por ai tha në një tweet se është duke u përpjekuer së bashku me Presidentin kinez Xi Jinping, për t’i lehtësuar problemet ekonomike me të cilat po ndeshet kompania e telekomunikacioneve ZTE.
“Kina po humbet shumë vende pune. Departamenti i Tregtisë ka marrë instruksione që t’i japë fund bllokimit!”- shkruante në tweet Presidenti Trump, disa ditë pasi kompania ZTE njoftoi se kishte ndërprerë “aktivitetet kryesore të operimit”.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndërprerë ekportetet amerikane të pjesëve të këmbimit ndaj kompanisë ZTE. Ato përbënin më tepër se 25 për qind të komponentëve që i nevojiten ZTE-së për të ndërtuar teknologji wireless, rrjete të fibrave optike dhe telefona inteligjentë.
Depertamenti amerikan i Tregtisë ja ndërpreu kompanisë ZTE eksportet e komponentëve amerikanë deri në vitin 2025, duke e detyruar atë t’i mbyllë operacionet në uzinën që ka në Shenzhen.
Ky veprim i Shteteve të Bashkuara erdhi pasi sipas disa ekspertëve, ZTE përdorte teknologjinë amerikane në produkte e saj dhe ia shiste ato vendeve nën embargon amerikane, përfshirë Iranin dhe Korenë e Veriut.
Vitin e kaluar Shtetete e Bashkuara i vunë një gjobë prej 1,2 miliardë dollarësh kompanisë ZTE.
Reagime të ligjvënësve
Ligjvënës të rëndësishëm amerikanë e kritikuar thirrjen e Presidentit Donald Trump për t’i ardhur në ndihmë gjigandit të teknologjisë në Kinë, ZTE, që të shpëtohen vende pune, duke thënë se nuk po merren parasysh shqetësimet për sigurinë kombëtare të Amerikës.
Senatori Marco Rubio, njëri prej rivalëve të zotit Trump për të marrë emërimin e kandidatit presidencial të Partisë Republikane për zgjedhjet e 2016-ës, shkruante në Twitter se “problemi me ZTE-në nuk janë vendet e punës dhe tregtia, por siguria kombëtare dhe spiunazhi. Çdo firmë telekomi në Kinë mund të detyrohet që të veprojë si vegël spiunazhi, pa urdhër gjykate, apo ndonjë tjetër proces rishikimi. Do të ishim të çmendur që t’i lejojmë ata të operojnë në Shtetet e Bashkuara pa kufizime më të forta”.
Ligjvënësi i Floridës shtonte në komentin e tij: “Shpresoj që ky nuk është fillimi i përuljes ndaj Kinës.”
Udhëheqësi i demokratëve në Senat Charles Schumer, u tall me parrullën politike të zotit Trump “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”, duke thënë: “Një nga disa prej pak fushave për të cilën unë dhe Presidenti jemi të të njëjtit mendim, është qëndrimi ndaj Kinës. Por edhe për këtë çështje, ai është duke u tërhequr dhe politika e tij tani synon të arrijë një qëllim: për ta bërë Kinën përsëri madhështore.”- tha zoti Schumer.
Senatori demokrat Ron Wyden vuri në pikëpyetje kohën kur zoti Trump bëri thirrje për ta ndihmuar kompaninë ZTE, që t’i rikthehet menjëherë biznesit, pasi masat amerikane për tregtinë e dëmtuan rëndë kompaninë. Presidenti i dha urdhër Departamentit të Tregtisë “të t’i japë fund” bllokimit. “Kjo mund të jetë një marrëveshje e mirë për Kinën, por humbje e madhe për punonjësit dhe kompanitë amerikane, si dhe për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, – tha senatori Wyden./VOA