AktualitetPolitikëTë fundit

Përgjimi i Agron Xhafës, Manjani: Fatmiri s’mund të jetë më ministër!

Përgjimi audio i vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa teksa rregullon pazare droge me një trafikant, sipas ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani është prova e mjaftueshme që delegjitimon qeverisjen e Rilindjes.

Në një postim në Facebook, Manjani komenton përgjimin e publikuar nga PD duke u shprehur se, “Fatmiri nuk mund të jetë më anëtar i qeverisë!”.

“Pas përgjimit që bëri publik PD, nuk ka më vend për komente! Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të marrë të pandehur Agronin dhe Ermalin, me gjithë rrjetin që përmendet aty! Pavarësisht vendimit të Italisë! Rama dhe Rilindja e tij nuk mund të qeverisin dot! Nuk kanë asnjë fytyrë e moral!”, shkruan Manjani.

Ai me ironi thekson më tej se qeveria e Edi Ramës “nuk gjeti dot një Ministër të Brendshëm, të pa përfshirë në histori krimesh e trafiqesh!!!”.

Për Manjanin është koha “për të shpalosur një alternativë normaliteti dhe reformash agresive”, pasi Rilindja nuk është më alternativë për të çuar përpara vendin, por një pengesë.

“Nuk i ndihmon më askush! As “miqtë” e huaj! Faktet janë ulëritëse… Sa më shpejt ta kuptojnë këtë gjë aq më mirë për ta! Akoma më mirë për vendin!”, thekson ish-ministri i Drejtësisë./shqip