Makinat luksoze: Hyjnë në fuqi rregullat e reja, do paguajnë 19 milionë lekë më shumë taksë
Makinat e luksit me kapacitet 6+1, që kushtojnë më shumë se 5 milionë lekë, nuk do të mund të shpëtojnë dot taksës së luksit., thotë Monitor.
Ka hyrë në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nr.14, datë 30.4.2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.26, datë 4.9.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, i botuar në Fletoren Zyrtare nr.65, datë 07.05.2018, në të cilin janë bërë disa ndryshime në përllogaritjen e taksave mbi mjetet e përdorura të transportit, përfshirë edhe ato luksoze.
Sipas një njoftimi zyrtar të tatimeve, ndër të tjera janë përcaktuar koeficientët sipas vjetërsisë për llogaritjen e taksës vjetore të mjeteve të përdorura, duke zëvendësuar përkatësisht dy tabelat që i klasifikonte automjetet në varësi të llojit të karburantit.
Ndryshon përcaktimi i kapacitetit mbi ato që konsiderohen automjete luksoze që nga 4+1 kalojnë deri në 6+1, si dhe duke ruajtur të pandryshuar parametrat e tjera teknikë siç janë:
- a) cilindratën e barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
- b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.
Mbetet i pandryshuar aplikimi i taksës së përvitshme të mjeteve luksoze, e cila është taksë vjetore, për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë, pavarësisht nga momenti në të cilën ajo paguhet, përfundon njoftimi i tatimeve.
Ndryshimet
Nga llogaritjet e Financave, ndryshimet në ligj të lidhura me automjetet e luksit pritet të japin një efekt pozitiv prej 19 milionë lekësh në buxhet.
Më parë, këtë taksë e paguanin të gjithë ato mjete 4+1 që kishin cilindratë mbi 3000 cm³ ose vlerë të barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë.
Ndryshimet u bënë në paketën fiskale të këtij viti kur Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Trnspotti Rrugor në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze përcolli shqetësimin lidhur me kërkesën e pronarëve të mjeteve për të bërë ndryshim konstruktiv të mjeteve të cilët kanë cilindratë më të madhe më të madhe se 3000 cm³; ose vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë, lidhur me numrin e vendeve duke kërkuar uljen nga 4+1 në 6+1. Kjo kërkesë bëhet me qëllim shmangien e kësaj takse.