Kufiri SHBA-Meksikë në këndvështrimin e banorëve
Banorët përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, në Arizonën jugore dhe Kaliforni kanë parë këto ditë ngritjen e mureve dhe dislokimin e trupave të Gardës Kombëtare. Megjithëse shpesh kjo karakterizohet si një çështje bardh e zi, – të drejtat e njeriut kundrejt sigurisë, – kufiri është një çështje shumëdimensionale për njerëzit që banojnë atje.
Punonjësit e bujqësisë nga të dyja anët e kufirit punojnë shumë, këtu në San Luis të Arizonës. Për shumë prej tyre, si dhe banorë të tjerë lokalë, jeta në anën tjetër të kufirit është e padukshme.
Por në këtë qytezë të qetë, ku banorët merren në bujqësi, ose punojnë në fabrika, popullsia latino-amerikane që përbën shumicën, e sheh kufirin si një çëshjtje të ndërlikuar. María Herrera, e cila është nënë, punon në fermë. Ajo është banore e përhershme e Arizonës. Ajo shqetësohet se trafiku i drogës po ndikon tek fëmijët e qytezës, disa fare të rinj, 12 vjeç.
“Nuk ka punë për ta, nuk ka asgjë, prandaj mundësia më e mirë shpesh është të zgjedhin rrugën më të lehtë: të vjedhin, të përdorin drogë, ose të bëhen korrierë droge matanë kufirit,”- thotë Maria.
Garda Kombëtare e vendosur kohët e fundit në këtë zonë, ndihmon Patrullën Kufitare për monitorimin e aktivitetit të paligjshëm, por
Maria Herrera nuk është e bindur në se kjo përpjekje ka për të patur rezultat. Ajo shpreh shqetësim për pasojat që do të ketë një kufi i militarizuar tek njerëzit pa dokumente:
“Sikurse të gjithë latinët, ne shqetësohemi për fatin e familjeve si e jona, sepse në një mënyrë ose një tjetër, shumë prej tyre janë familjarë të miqve tanë.”
Disa banorë të tjerë nuk shohin ndonjë problem të madh tek masat e reja:
“Nëse këto masa trajtojnë trafikimin e lëndëve narkotike dhe të njerëzve, atëherë ato kjo është gjë e mirë. Është mirë që këto aktivitete të marrin fund, sepse janë të rrezikshme për banorët e kufirit.”- thotë Candelario Vizcarra, një banor.
“Ata nuk po sulmojnë njeri. Janë këtu vetëm për të mbrojtur kufirin, gjë që duhet bërë,” – thotë një tjetër banor.
127 kilometra më larg, nëpër shkretëtirën subtropikale, Patrulla Kufitare në sektorin El Centro, të Kalifornisë jugore, kapi më tepër se 200 kilogramë kokainë, 690 kile metamfetaminë dhe 70,000 gramë heroinë gjatë vitit 2017.
Shefi i Sektorit të Patrullës Kufitare Jorge Rivera i është mirënjohës për këtë Gardës Kombëtare dhe vendosjes së gardhit të ri.
“Organizatat kriminale vijnë dhe na sulmojnë me gurë, apo me objekte të ndryshme, për të mos na lejuar që të zbulojmë ndonjë lloj aktiviteti të paligjshëm”, – thotë anëtari i patrullës kufitare.
Në El Centro, Bill DuBois menaxhon një kioskë qitjeje për banorët lokalë dhe turistët meksikanë. Ai e quan “të rrezikshëm” imigracionin e paligjshëm:
“Duhet ditur kush hyn në vend dhe arsyen e ardhjes, për sa kohë do të qëndrojë… Këto janë gjëra që duhet t’i dijnë të gjithë, se kush kalon kufirin,”- thotë ai.
“Një bravo për murin dhe për Gardën Kombëtare!”- thotë një banor.
Të tjerë duan të mbrojnë dollarët e taksave të tyre.
“Ata jetojnë në kurriz të sistemit tonë, e shfrytëzojnë atë. Unë pagoj shumë taksa çdo muaj dhe të gjitha paratë shkojnë për këta njerëz. Unë nuk marr asgjë prej taksave!”- thonë banori Steve Andrade.
Ata që e shohin kufirin si një mjet për të udhëtuar për biznes, për turizëm, apo për të vizituar familjarë, shpresojnë se kjo nuk ka për të ndryshuar së shpejti./VOA