Kryediplomati iranian: Aksion ndërkombëtar për marrëveshjen bërthamore
Kreu i diplomacisë iraniane, Mohammad Javad Zarif, nisi një vizitë në Pekin, si pjesë e një turneu vizitash që do të kryejë edhe në Moskë dhe Bruksel, me qëllim ruajtjen e marrëveshjes bërthamore, pas largimit të zhurmshëm të SHBA-së, dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit.
Turi i Zarif nis dy ditë pas sulmeve të paprecedenta izraelite në Siri, ku u vranë të paktën 11 luftëtarë iranianë, sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), duke shtuar dyshimet për një konflikt më të gjerë mes dy vendeve.
Irani duket gjithsesi i vendosur për të mos u përfshirë në një konflikt të hapur me Izraelin, që do të çonte në distancimin e partnerëve të tij europianë.Zarif mbërriti në Pekin, ku pritet të takohet me homologun e tij kinez, Wang Yi, përcjell Atsh.
Kina bën pjesë në mesin e gjashtë fuqive të mëdha, SHBA, Rusi, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermani, që nënshkruan në vitin 2015 me Iranin një marrëveshje historike, e cila parashikon heqjen e sanksioneve ndaj vendit, në këmbim të angazhimit të Teheranit për të mos u pajisur me armë bërthamore/ Express.