Konflikti për ilaçet: Dështon marshimi i farmacistëve para kryeministrisë
Për dy orë farmacitë me kontrate me Fondin, në të gjithë Shqipërinë kanë mbyllur dyert duke mos i shërbyer pacientëve në shenjë proteste për kontratat që duhej të lidhnin.
Përveç mbylljes së farmacive, të ardhur nga disa qytete të vendit ata kishin planifikuar të marshonin drejt kryeministrisë, por një takim i sotëm me drejtues të Fondit u ka ndryshuar planin .
“Kemi arritur një të mesme të përbashkët të çështjeve që kemi diskutuar. Ka patur dakordësi dhe mirëkuptim dhe lëshime aty ku ishte e nevojshme dhe nuk prekeshin ato që ne i konsiderojmë në interes të pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi i barnave”, tha drejtori i FSDKSH, Eduart Ahmetaj.
Ndërsa ishin mbledhur për të protestuar farmacistët janë njohur nga presidentja e Urdhrit të Farmacistëve me pikat që u zgjidhen në favor të tyre.
“Në dakordësi të plotë diferencat në minus u hoqën, në dakordësi u la të ngrihet menjëherë një grup pune me kryesimin e drejtorit të Fondit ku në përbërje të tij do të jenë përfaqësues nga rrjeti i hapur që të gjendet një akt përpilimi për të gjetur formën e rimbursimit të farmacisë për dëmin që i shkaktohet”, tha Diana Toma, kreu i Urdhrit të Farmacistëve.
Ndërkohë pikat e ndryshuara në kontratë pritet të marrin miratimin nga këshilli administrativ në krye të të cilit qëndron ministrja e Shëndetësisë. Farmacistët presin që deri nesër të ketë dalë kontrata e re ku të jenë pasqyruar edhe pikat e ndryshuara. Vetëm atëherë besojnë në atë që u arrit. Në rast të kundërt i kthehen sërish protestës.