AktualitetRajoniTë fundit

Eurozona: Tre vendet më të varfra të BE-së nxitojnë përfshirjen; Po vendet e Ballkanit Perëndimor?

 Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do te duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre, ta përfshijnë atë në idetë ofruara konverguese të procesit të anëtarësimit ne BE të mundësuara nga Procesi i Berlinit  dhe t’i japin mbështetje politike këtij procesi shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin

Nga Zef Preçi

Nuk mund te mos ndjehesha mire ndërsa lexoja analizat e Bloomberg të përcjella edhe në shtypin ekonomik Shqiptar mbi përpjekjet e tri vendeve më të varfëra te Bashkimit Europian për të zëvendësuar monedhat e tyre kombëtare me Euron, si një rrugë që i kontribuon drejtpërdrejt në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe thithjen e investimeve të huaja në këto vende. http://www.monitor.al/tre-anetaret-te-varfer-te-se-nisin-planet-per-perdorimin/

Edhe pse në minoranëe në debatin publik dhe profesional rreth kësaj teme të ndërmarrë nga revista Monitor vitin qe shkoi (http://www.monitor.al/euroizimi-koha-per-nje-strategji-2/), kam tentuar ta shoh procesin e de-uroizimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria Shqiptare si një tentativë që e komplikon më tej situatën e ekonomisë sonë kombëtare. E kjo po ndodh kur de-euroizimi shihet si rruga përmes të cilës qeveria “do te rregulloje punët e saj” (ulja e kostos se borxhit publik) apo vetë Bankës  së Shqipërisë (krijimi i mundësive që politika monetare e saj të transmetohet në bankat tregtare dhe të sjellë efekte pozitive e kreditimin e ekonomisë reale) apo te dyja bashke të zgjidhin “hallet” që i kane zënë.

Në fakt, me keqardhje konstatoj se për një numër arsyesh, debati rreth kësaj teme erdhi duke u zbehur, ndonëse zhvillimet e gjysmës së parë të 2018-tës, sidomos sa i takon mbiçmimit të Lekut Shqiptar, po provojnë se oferta monetare e parave me origjine kriminale në ekonominë Shqiptare është tejet e madhe dhe përbën një kërcenim serioz për deformime të tjera në këtë ekonomi. Deri me tani si evidence në funksion të këtij argumenti, përveç “avullimit” te rreth 350 milionë Eurove nga kursimet e popullatës, janë shfaqur edhe pasojat ne përkeqësimin e situatës së kompanive që eksportojnë mallra shqiptare jashtë vendit. Gjithashtu, edhe “rigjallërimi” i pajustifikuar i tregut te pasurive të patundshme, kryesisht nëpërmjet transaksioneve në cash dhe pa ndonjë lidhje me zhvillimet në kërkesë-ofertën e këtij tregu, është rrjedhoje e kësaj situate. Në këndvështrimin pozitiv duhet të përmendim uljen me disa dhjetëra miliona Euro të kostos së borxhit publik, përfitim ky i përkohshëm dhe që duket se do të “hidhet në erë” shumë shpejt me kanalizimin e investimeve private në infrastrukturën publike nëpërmjet të ashtuquajturit “Programi 1 Miliarde Euro”. Unë nuk po përsëris këtu rekomandimin e qartë publik të FMN dhe të diplomacisë Amerikane drejtuar qeverise shqiptare për pezullimin dhe heqjen dorë nga ky program, edhe pse besoj se qeveria shqiptare dhe bankat jane nën një presion të madh për krijimin e mundësive Ligjore për futjen në qarkullim ekonomik të parave me origjinë të dyshimtë – kryesisht parave të drogës. Sa u takon bankave, e konsideroj pozitive që bankat tregtare janë pozicionuar zyrtarisht (të paktën) se nuk janë në favor të një programi të tillë…

Ndërkaq, duke u kthyer te tema e këtij shënimi: Rumania, Bullgaria dhe Kroacia kane marrë miratimin përkatës të Eurozonës për t’u bashkuar në zonën Euro jo thjesht se janë vende anëtare të BE-se, as kane përmbushur plotësisht kushtet e nevojshme për të zëvendësuar monedhat e tyre kombëtare me Euron. Por se ato kane kuptuar në këtë mënyrë do të mund të përfitojnë më shumë nga fondet e rëndësishme të zhvillimit të ofruara nga BE- ku bëjnë pjesë… Ekspertet theksojnë edhe faktin se përvoja e Greqisë tregoi se çfarë mund të ndodhë kur politika monetare e pavarur nuk funksiononte me… E për analogji, tashme njihet publikisht se sa të pavarura janë institucionet rregullatore duke përfshirë edhe entin rregullator bankar ndaj ekzekutivit Shqiptar.

Sipas mendimit tim, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do te duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare (përveç Malit te Zi dhe Kosovës që tashmë e kanë hedhur këtë hap), ta përfshijnë atë në idetë ofruara konverguese të procesit të anëtarësimit ne BE të mundësuara nga Procesi i Berlinit (qe mund të mbështesë edhe përgatitjen e kësaj strategjie) dhe t’i japin mbështetje politike këtij procesi shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin.

Kjo do t’i shërbejë si ndërtimit të një zone ekonomike të rajonit, por edhe përshpejtimit të procesit të integrimit Europian te vendeve të Ballkanit Perëndimor jo thjesht duke konkurruar individualisht, por duke zgjeruar dhe intensifikuar bashkëpunimin ndër-ballkanik, e sidomos bashkëpunimin ekonomik, tregtar e monetar ndër-shqiptar, si pjesë e rëndësishme e këtij procesi./Monitor