AMF prezanton strategjinë për tregjet, Koçi: Fokus rritja e besimit të konsumatorëve
Zhvillimi i tregjeve nën mbikëqyrje, përmirësimi i kulturës së përgjithshme financiare dhe forcimi i besimit të konsumatorit duket të jenë tre nga objektivat e nënvizuara në Strategjinë 2018-2022 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv Ervin Koçi në fjalën e mbajtur me rastin e prezantimit të këtij dokumenti bëri një përmbledhje të punës së AMF si dhe prioritetet në vazhdim.
“Ne duhet të pranojmë realitetin që kemi me tregje të pazhvilluara dhe kulturë të ulët të publikut mbi këto tregje. Sot kemi klimën e nevojshme që të arrijmë synimet dhe projektet tona. Investitorët në këto tregje janë entuziastë për zhvillimin dhe publiku pret edhe më shumë nga të gjithë aktorët. Mbrojtja e konsumatorit dhe rritja e besimit të tij në tregjet nën mbikëqyrje është pjesë e strategjisë sonë 5-vjeçare” u shpreh Koçi.
Sipas tij zbatimi i strategjisë pritet që të japë efektet e veta pozitive dhe të transformojë tërësisht këto tregje.
Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë Natasha Ahmetaj vuri theksin tek rëndësia që kanë dokumentet e politikave dhe harmonizimi i masave. Sipas saj tregu jobankar ende mbetet I pazhvilluar kur në fakt ai është një treg konkurrent i bankave dhe ka potencial që mund të shfrytëzohet. Në këtë kontekst ajo solli në vëmendje fondet e pensioneve që mund të kenë rritje më të madhe dhe të bëhen konkurrentë të vërtetë të bankave.
“Hartimi i strategjisë është i rëndësishëm pasi gjatë këtij procesi çdo palë kupton kush janë ndryshimet, tendencat dhe instrumentet si dhe pajis çdo individ me vizion dhe qëllim. Në zbatim të kësaj strategjie tregjet transformohen dhe zhvillohen” tha zv.guverantorja.
Kryetari i Bordit të AMF Pajtim Melani u shpreh se në hartimin e strategjisë 2018-2022 Banka e Shqipërisë ka qenë një partner i rëndësishëm PËR Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Ai theksoi se tregu që kërkon më shumë vëmendje është tregu i pensioneve private ndërkohe që vlerësoi se një hap I rëndësishëm i hedhur së fundmi ishte ai i hapjes së Bursës./Monitor