AktualitetPolitikëTë fundit

Tahiri i vetmi nga grupi në Shqipëri që është ‘burgosur’ në shtëpi; Në tetor pritet të merret i pandehur

Gjykata vendosi masën e sigurisë  me arrest shtëpie  për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili akuzohet për “Trafik të narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsionit Pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Kujtojmë që momentalisht Saimir Tahiri është personi i vetëm i këtij procedimi penal, që qëndron i shtrënguar në masë sigurimi “arrest shtëpie”. Kjo pasi personat e tjetë që janë në hetim për këtë dosje janë të gjithë në kërkim, ndërsa disa janë me masë detyrim paraqitje.

Më konkretisht Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj, Sokol Bode, ish-shefi i postës në Dhërmi, Jaerd Çela, ish-drejtor i policisë Vlorë, dhe Gjergji Kohila, ish-shefi i hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Vlorë, janë në kërkim policor. Ndërkohë personi nën hetim Oresti Sota, i arrestuar pak muaj më parë me 863 mijë euro dhe dy patenta të Tahirit në makinë, është në masën e “detyrimit për paraqitje”, duke vënë 50 milion lekë garanci pasurore.

Ndërkohë i arrestuari i vetëm i kësaj dosje Nazer Seitaj, u ekstradua në Itali, me një procedurë ekstra të përshpejtuar dhe të paligjshme. Kujtojmë që pas këtij vendimi, nëse Tahiri del nga banesa dhe thyer arrestin shtëpiak, ai menjëherë arrestohet dhe dërgohet në burg. Pas këtij vendimi, pritet që në muajin tetor dhe nëntor 2018, Tahiri të merret i pandehur për dy akuza. Kujtojmë gjithashtu se pjesa tjetër e bandës që akuzohet për trafik është në Itali me Moisi Habilajn, që është arrestuar dhe po gjykohet./Shqiptarja.com