AktualitetBota+Të fundit

Sulmuesi i Parisit ishte i lindur në Çeçeni

Autoritetet franceze thanë se përgjegjësi për sulmin vdekjeprurës me thikë në Parisin qendror, është një qytetar francez i lindur në republikën ruse me shumicë myslimane të Çeçenisë, në vitin 1997. Ai ishte në listën e vëzhgimit të ekstremistëve të dyshuar, por nuk kishte një regjistër kriminal.

Policia franceze i ka marrë prindërit e tij në paraburgim për t’i marrë në pyetje. Emri i sulmuesit nuk është bërë i ditur ende.

Sulmuesi therri me thikë pesë njerëz. Një nga viktimat e tij, një 29-vjeçar vdiq. Ministri i Brendshëm, Gerard Collomb, tha të dielën se katër njerëzit e tjerë pritet të mbijetojnë plagët e tyre.

Sulmuesi vdiq në vendngjarje pasi u qëllua dhe u vra nga policia, tha zoti Collomb, duke vlerësuar oficerët për veprimet e ndërmarra.

Grupi ekstremist Shteti Islamik tha përmes agjencisë së tij të lajmeve se është përgjegjës për këtë sulm, duke e quajtur sulmuesin një “ushtar” për kauzën e tyre.

Prokurori i qytetit, Francois Molins, u tha gazetarëve se sulmuesi kishte thirrur frazën arabe “Allahu Akbar”, që do të thotë “Zoti është i madh”, gjatë sulmit.

Molins tha se policia do të nisë një hetim kundër terrorizmit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha në rrjetin social Twitter se Franca “nuk do të zmbrapset asnjë inç ndaj armiqve të lirisë”.

Policia e Parisit ka shkruar në Twitter se sulmi ndodhi në rrethin e 2-të të kryeqytetit francez, i cili shpesh është i mbushur me njerëz që shkojnë drejt Operas Garnier dhe restoranteve lokale.

Kryeministri, Edouard Philippe, tha se policisë iu deshën më pak se nëntë minuta për ta nënshtruar sulmuesin që nga momenti kur ata ishin alarmuar.

“Kjo shpejtësi, qetësi dhe efektivitet i lejoi ata që të shmangin ndonjë pasojë shumë më të rëndë”, tha ai.

Parisi ka qenë në alarm të lartë për sulme terroriste, pasi një seri sulmesh kanë ndodhur në Francë gjatë tre viteve të fundit./VOA