Shëndeti: Rehabilitohen dy qendra të reja në Dibër
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inaguroi qendrat shëndetësore të Maqellarës dhe Shupenzës, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orë për banorët e këtyre zonave.
“Po vendosim një standart të ri në shërbimin parësor me rikonstruksionin e qendrave shëndetësore model për nga instrastruktura dhe pajisjet, siç janë qendrat që inagurojmë sot në Maqellarë dhe në Shupenzë. Kemi nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite dhe këtë vit do të rehabilitojmë 80 qendra të kujdesit parësor nga veriu në jug të vendit.”, tha Manastirliu.
Qendra shëndetësore e Maqellarës ofron shërbim 24 orë për rreth 14 mijë banorë të kësaj njësie administrative në Dibër. Edhe qendra e Shupenzës në zonën e Bulqizës ofron shërbim shëndetësor dhe urgjencë 24 orëshe. Kjo qendër i shërben jo vetëm rreth 7 mijë banorëve të Shupenzës por edhe rrethinave, duke mbuluar shërbimin për zona të thella të Bulqizës për rreth 15 mijë banorë.
Katër qendra shëndetësore janë rehabilituar në qarkun e Dibrës (Maqellarë, Kastriot, Shupenzë dhe Komsi)me mbështetjen e projektit “Shëndet për të Gjithë” të Qeverisë zviceriane me vlerë 50 milion lekë.
Përvec rehabilitimin dhe pajisjes së qendrave shëndetësore, të gjithë mjekët e familjes në qarkun e Dibrës janë trajnuar dhe pajisur me “çantën e doktorit”, e cila përmban 17 instrumente mjekësorë. Me mbështetjen e “Shëndet për të gjithë”, do të pajisen edhe infermierët e të gjithë qarkut Dibër me çantën e infermierit, shumë e nevojshme për ofrimin e ndihmës së parë në rast të urgjencave në territor.