AktualitetBota+Të fundit

SHBA, Kriza e opioideve në zonat rurale

Kriza e opioidëve nuk kanë lënë pa prekur asnjë komunitetit në Shtetet e Bashkuara. Është shndërruar në një epidemi mbarëkombëtare, në veçanti në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, njofton për shtrirjen e këtij problemi dhe për masat që po marrin shtetet amerikane për këtë krizë.

Në qytetin Bellevue, në shtetin Ohio, Koriann Evans ishte duke i dhënë makinës me të dy fëmijët e saj, kur filloi të ndjejë efektet e mbidozës. Arriti të frenojë përpara se të humbte ndjenjat. Fatmirësisht, u dërgua në spital, ku doktorët e shpëtuan. Që atëherë, ajo nuk merr më opioide.

“Për pak vrava dy fëmijët e mi. Me makinën në lëvizje mund të kisha vrarë edhe njerëz të tjerë”, thotë zonja Evans.

Në Manchester, të shtetit New Hampshire, zjarrfikësit krijuan një program për të ndihmuar të ndërvarurit, pasi njëri prej tyre ndihmoi vëllanë e një kolegu nën varësinë e drogës dhe në prag të vetëvrasjes.

“Asnjë agjensi, asnjë qytet nuk ja dalin dot të vetëm… Që të ndreqet kjo gjë duhet një përpjekje e të gjithëve, mbarëkombëtare”, thotë Daniel Goonan, shefi i zjarrfikësve të qytetit Manchester, në shtetin New Hampshire.

Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve raporton se mbi 40 mijë persona vdiqën nga mbidoza në vitin 2016… një shifër pesë herë më e lartë se në vitin 1999.

Në qytetin e vogël Hannibal, të shtetit Missouri, doktoreshë Jennifer Allen ushtron profesionin e mjekes.

“Ndjehem e vetme këtu në Hannibal, pasi vetëm ne ofrojmë trajtim dhe për vetëm 2 orë”, thotë zonja Allen.

Si shumë qytete të vogla të Amerikës, këtu mungojnë burimet për ta luftuar këtë epidemi.

Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Missourit përdor videokonferencën për të ndihmuar mjekët në zonat rurale.

“Kemi terapistë, farmacistë, doktorë të kujdesit fillestar, mjekë të përgjithshëm, pra është një grup me shumë ekspertizë”, thotë Dr. Doug Burgess, i Universitetit të Missourit.

Në monitor shfaqen mjekë nga mbarë vendi që trajnohen prej specialistëve të universitetit.

“Bëhen pjesë e një bashkëpunimi gjatë të cilit mësojnë, bëjnë pyetje, prezantojnë rastet e pacientëve të tyre dhe hartojnë strategjinë e duhur për t’i ndihmuar ata”, thotë doktoreshë Karen Edison, e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Missourit.

Në Missouri, 1 në 66 vdekje lidhet me mbidoza opioidesh apo heroine.

Mjekët, zjarrfikësit dhe policia në qytetet e vogla në mbarë Shtetet e Bashkuara, e kuptojnë se duhet punë në ekip për të ulur trajektoren e kësaj epidemie.

“Po kuptojmë se çfarë bëjmë dhe se në cilat drejtime duhet ndryshuar apo përmirësuar diçka”, thotë doktoresha Jennifer Allen.

Të ndërvarurit ndaj opioideve duhet të marrin ndihmë pa u stigmatizuar, apo arrestuar. Kriza është përhapur aq shumë, saqë kreu i urdhërit të mjekëve u ka bërë thirrje qytetarëve të mbajnë me vete nalokson, një ilaç që zmbraps efektet e mbidozës dhe shpëton jetë. Ekspertët e mjekësisë thonë se do të duhet një ekip mbarëkombëtar për t’i dhënë fund kësaj krize./VOA