Mos u ngutni për Nobelin e Paqes; Kim po ngre një kurth për Trump-in
Nga Anthony Ruggiero
Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, së fundmi zhvilloi një vizitë në Korenë e Veriut, nga ku u kthye së bashku me 3 amerikanë që mbaheshin peng dhe me axhendën për takimin Trump-Kim Jong Un. Ata do të takohen më 12 qershor, në Singapor.
Raportimet në mediat botërore për takimet me liderëve të dy Koreve flasin për një gatishmëri të Koresë së Veriut për t’u larguar nga programi bërthamor në këmbim të të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Nëse është kështu, kjo klimë besimi mund të jetë bazë për një fundin paqësor dhe diplomatik të një prej kërcënimeve më urgjente të sigurisë në glob.
Por para se të parashikojmë se si do të jetë ceremonia e Nobelit të Paqes, duhen rikujtuar negociatat e mëparshme të Koresë që të lënë të kuptosh se Kim Jong Un po përpiqet t’u shpëtojë sanksioneve dhe të futet si pykë mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut.
Deklarata e Panmunjon-it, e cila u lëshua në fund të prillit pas takimit mes liderëve të dy Koreve, i ngjan një filmi të ribërë të Hollivudit, me aktorë të rinj, por me skenar të vjetër.
Koreja e Veriut ka premtuar në shumë raste se do të braktisë programin bërthamor, duke nisur që nga traktati i vitit 1985.
Në vitin 1992, babai i Kim Jong Unit, dha fjalën që e angazhonte në një marrëveshje me tre JO: jo armë bërthamore, jo përpunim bërthamor dhe jo pasurim i uraniumit. Koreja e Veriut është kapur disa herë në shkelje të këtyre kushteve, por SHBA-të nuk kanë marrë masa. Madje në vitin 2005, të dy palët u angazhuan në “respektimin e sovranitetit të njëri-tjetrit dhe ekzistencën e paqes mes tyre”. Të gjitha këto përpjekje çuan në të njëjtën pikë sërish: Një tjetër Kim i shkeli premtimet dhe përfitoi nga lëshimet e SHBA-ve dhe aleatëve të saj.
Në mënyrë që të mos bjerë në grackën e diplomacisë së buzëqeshjeve, administrata Trump duhet të ketë parasysh katër leksione nga negociatat e mëparshme me Korenë e Veriut, Libinë dhe Iranin.
Përgatitu të largohesh nga tryeza e bisedimeve
Tre presidentët amerikanë të mëparshëm, qofshin republikanë apo demokratë, kanë negociuar marrëveshje bërthamore me të meta me Korenë e Veriut. Familja Kim në negociatat me SHBA-të ka këmbëngulur në termat afatgjatë të tyre. Nëse Koreja e Veriut refuzon këmbënguljen e SHBA-ve për denuklearizim të shpejtë, të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm, Trump duhet të kthehet në Uashington dhe të rritë presionin duke përdorur pikën ku Kim Jong Unit i dhemb më shumë: te ekonomia e dobët e vendit, të cilën ai u zotua se do ta mbështesë. Trump duhet të ketë parasysh parullën e paraardhësit të tij në rastin e marrëveshjes me Iranin se “më mirë pa marrëveshje sesa me një marrëveshje të keqe”. Në këtë rast, presidenti aktual duhet t’i kthejë në vepra fjalët e tij.
Marrëveshjet bërthamore nuk u japin zgjidhje çështjeve strategjike
Trump doli nga marrëveshja bërthamore me Iranin, për shkak të gabimeve fatale, përfshirë përqendrimin vetëm te çështja bërthamore duke përjashtuar problemet e tjera të Iranit si terrorizmi, të drejtat e njeriut, raketat dhe aspiratat rajonale. Një marrëveshje me Korenë e Veriut që fokusohet vetëm në programin e saj bërthamor do të linte të paprekur kërcënimin ushtarak të Penianit, përfshirë këtu forcën raketore dhe kapacitetin e saj kimik dhe biologjik. Po ashtu edhe aktivitetet kibernetike dhe shkelja e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut duhet të adresohen. Ndërsa fundi i programit bërthamor do të ishte një arritje e madhe, këto do të mbeteshin sfida për t’u kapërcyer.
Këmbëngulja në denuklearizimin sipas modelit të Libisë
Segmentimi i procesit do të tregojë sa seriozisht është e angazhuar Koreja e Veriut në lidhje me këtë proces. Peniani me shumë gjasa do të preferojë kuadrin ligjor të Kim Jong Il, sipas të cilit të dyja palët marrin pjesë në negociata të gjata dhe afatgjata. Kjo do të lejonte Veriun të vazhdonte programin e saj të armëve bërthamore, ndërkohë që në SHBA afrohet momenti i zgjedhjeve të reja presidenciale. Shtetet e Bashkuara duhet të këmbëngulin në modelin e përdorur në Libi për denuklearizim: i plotë, tërësor dhe pothuajse i menjëhershëm. Por kjo nuk vjen pa kosto. Peniani do të këmbëngulë në lëshime domethënëse nga ana e SHBA-ve. Ka edhe një arsye tjetër për të mos lëshuar terren: Irani po i ndjek me vëmendje negociatat Kore e Veriut – SHBA dhe çdo precedent i vendosur me liderin komunist do të mbahet shënim në Teheran.
Mos e ulni presionin
Dy presidentët e mëparshëm i kanë ulur presionet efektive të sanksioneve para marrjes së rezultateve të prekshme. Në vitin 2007, administrata e George W. Bush hoqi sanksionet mbi një bankë kyçe që lehtësonte aktivitetet e paligjshme të Koresë së Veriut dhe e hoqi Penianin nga lista e shteteve sponsor të terrorizmit. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara morën premtime boshe dhe veprimet e Koresë së Veriut rezultuan lehtësisht të kthyeshme mbrapa. Në vitin 2015, administrata Obama lehtësoi sanksionet shkatërruese ndaj Iranit, që kishin dëmtuar ekonominë e këtij vendi. Me Korenë e Veriut, Trump duhet të mbajë pezull lehtësimin e sanksioneve derisa Kim të ndërmarrë veprime konkrete dhe të pakthyeshme në procesin e denuklearizimit.
Samiti Trump-Kim është një arritje në vetvete. Por mund të dështojë fare lehtë. Për fat të mirë, Trump ka një ekip të aftë që di t’i përdorë të gjithë elementët e fuqisë amerikane. Nëse Kim është lëkundet, Trump duhet të rritë presionin ekonomik dhe ushtarak. Kjo është pikërisht ajo të cilës i druhet Kim, dhe Trump duhet ta përdorë këtë “levë” në avantazhin e tij.