AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni-Greqi: Raund i ri bisedimesh për çështjen e emrit

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe të Maqedonisë, përkatësisht Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, u takuan të shtunën në afërsi të Athinës në një raund të ri bisedimesh me ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz, në përpjekje për t’i dhënë fund problemit mbi njëzet e pesë vjeçar të emrit të ish-republikës jugosllave.

Por, pak hollësi janë dhënë nga bisedimet; ndërsa dy ministrat nuk u pronocuan, ndërmjetësi Nimetz u shpreh:

“Mund ta karakterizoj takimin si mjaft serioz dhe në disa raste të tensionuar. Para kësaj, kishim bërë punë serioze dhe do të vëzhdojmë kështu; dy ministrat do t’i njoftojnë kryeministrat e tyre në përgatitje të një takimi të tyre në Sofje (të Bullgarisë) javën e ardhëshme me datë 17 të këtij muaji”, tha ndërmjetësi Nimetz.

Autoritetet qeveritare në Shkup, nga ana tjetër vlerësojnë se asnjëherë më parë nuk kanë qenë më afër zjidhjes së problemit se sa që janë tash. Shkupi shpreson se me zjidhjen e çështjes menjëherë do të ftohet për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike të Natos.

Greqia fqinje ka bllokuar edhe rrugën e integrimit të Maqedonisë drejt integrimeve në strukturat e Bashkimit Evropian.

Shkupi së fundmi mori rekomandimin nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, një gjë që e kishte pritur prej vitesh. Maqedonia ka marrë statusin “vend kandidat për anëtarësim” qysh në dhjetor të vitit 2005, madje edhe para Kroacisë, e cila tashmë është anëtare fuqiplotë e Bashkimit Evropian.

Propozimi i përfolur “Gorna Makedonija” që i bie “Maqedonia e Epërme” është i pranueshëm për të dyja palët, ndërsa Athina nuk do që ky emër të jetë i përkthyeshëm në gjuhët tjera por të jetë në këtë trajtë sllave.

Greqia, e cila ka një rajon në veri të saj që mban emrin Maqedoni, këmbëngul që fqinji i saj verior ta ndryshojë emrin dhe qasjen irredentiste ndaj saj, por dhe kushtetutën. Kërkesa e fundit ka hasur në rezistencë, sidomos të opozitës maqedonase, por dhe te një pjesë e opinionit publik në republikën ish-jugosllave, e cila u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 me referencën FYROM (Republika ish-jugosllave e Maqedonisë).