Kosova ka nevojë për promovimin e produkteve në panaire
Vendosja e raporteve biznisore, promovimi i produkteve dhe shkëmbimi i përvojave janë qëllimi kryesor i panaireve.
Në Kosovë, brenda një viti organizohen dhjetëra panaire të cilët janë të llojit të ndryshëm të prezantimit të bizneseve dhe aktiviteteve të tyre.
Sipas bizneseve, Kosova ka shumë nevojë për promovimin e produkteve në panaire.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Telegrafin se panairet janë një mundësi e mirë promovimi.
“Panairet janë një mundësi e mirë e promovimit të produkteve, vendosjes dhe zhvillimit të raporteve biznesore ndërmjet prodhuesve dhe tregtarëve, por edhe e shkëmbimit të përvojave”, tha për Telegrafin, Zeka.
Pronari i kompanisë “Meka” e cila merret me përpunimin e mishit, Burim Piraj, ka thënë për Telegrafin se sa do që është i vogël promovimi në fund arrihet që të ketë një efekt pozitiv.
“Çdo organizim që ka të bëjë me promovimin e produkteve apo bizneseve e ka efektin e vetë. Nuk kalon asnjë organizim pa e pas një ndikim sado të vogël në promovimin dhe shitjen e produkteve dhe mendoj se sido që të jetë arrihet efekt pozitiv”, tha për Telegrafin, Piraj.
Ai tha se Kosova ka shumë nevojë për promovimin e produkteve nga kompanitë.
“Kosova në fazën në të cilën ndodhet ka shumë nevojë të promovoj produktet dhe kompanitë vendore së pari përpara konsumatorëve vendorë e më pas dhe pranë atyre të mundshëm në shtetet që e rrethojnë Kosovën dhe më gjerë”, tha ai.
Piraj thotë se për rrethanat e Kosovës forma e organizimit të panaireve është në rregull.
“Për rrethanat kosovare forma e organizimit të panaireve mund të thuhet se është në rregull, mirëpo kur një panair quhet ‘internacional’ dhe organizohet si po organizohen deri më tani panairet atëherë unë mendoj se jemi larg shumë nga emri si quhet dhe nga organizimi që bëhet në praktik. Organizatorët e panairit mundohen që të gjitha punët t’i kryejnë nga zyrat e veta pa bërë asnjë takim paraprak me biznese e as në përgatitjen e kategorive ekspozuese në panair”, tha Piraj.
Bekim Xhafa nga kompania CEO, e cila merret me organizimin e panaireve tha për Telegrafin se janë vetë shifrat që flasin për sukseset e panaireve.
“Për 15 vite nga ky panair kemi krijuar 600 ndërmarrje të reja dhe janë mbi tremijë ndërmarrje që janë zgjeruar. Kur flasim se sa iu ndihmojnë panairet bizneseve, atëherë janë vetë shifrat që tregojnë për këtë sukses”, tha për Telegrafin, Xhafa.
Ndërsa, Drilon Brahimi, nga Monting, tha për Telegrafin se panairet i përmbushin kërkesat e bizneseve, mirëpo fakt i keq është se bizneset nuk kanë interes për pjesëmarrjen në panaire.
“Panairet i përmbushin kërkesat e bizneseve, mirëpo fakt i keq është se bizneset nuk kanë interes për pjesëmarrjen në panaire. Ndoshta është se çmimi i lartë i pjesëmarrjes në panaire dhe kjo ndikon në mospjesëmarrjen e bizneseve të tjera përveç atyre që kanë kushtet pak më të mira që mund të marrin pjesë në panair, kurse për bizneset e reja nuk kanë krijuar kushte”, tha për Telegrafin, Brahimi.