AktualitetBota+Të fundit

Indonezi: 11 të vdekur në sulmin vetëvrasës

11 vetë kanë gjetur vdekjen, 41 të tjerë janë plagosur në sulme vetëvrasëse sot në Indonezi. Policia indoneziane thotë se një familje, ku përfshihen edhe fëmijë adoleshentë dhe në moshë të mitur, ishte autorja e shpërthimeve vetëvrasëse me bomba në tre kisha në qytetin e Surabayas.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet në qytetin e dytë më të madh në vend.

Shefi i policisë kombëtare tha se autorët e sulmit përfshinin nënën, babain, dy djem adoleshentë dhe dy vajza me moshë 12 dhe 9 vjeçe. Sipas zyrtarit, familja që kreu sulmin kishte lidhje me grupin Jemaah Ansharut Daulah, një organizatë terroriste e frymëzuar nga ISIS.

Organizata muslimane dhe të krishtera në Indonezi e dënuan sulmin dhe nxorën një deklaratë ku thuhej se asnjë besim në botë nuk justifikon dhunën si mjet për të arritur synimet.

Policia ka dhënë urdhër për mbylljen e përkohëshme të kishave në qytet. Po ashtu është anuluar një festival masiv ushqimor.

Edhe kryeqyteti i vendit, Xhakarta, është në gjendje gatishmërie të lartë. Shërbimet kishtare të së dielës janë anuluar për sot.