Europa ime – Dashuria ime
“Europa është e ardhmja jonë, tjetër nuk kemi.“ Kjo fjali e ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, citohet shumë këto kohë. Europa ka lidhje me secilin prej nesh, mendon Jagoda Marinic.
Para 10 vitesh shumë lokale në Kroaci quheshin Kafe Europa. Në Split, turistët dhe vendasit uleshin në “Café Genscher”, për të filozofuar pranë detit. Nëse dikush donte të theksonte se gjërat zhvilloheshin si duheshin, thoshte se „ky është standard europian”. Ndërkohë sot flasin shumë më pak vetë për gjërat që shkojnë mirë dhe Europa përballet me skepticizëm.
Njëherë e një kohë ekzistonte shpresa se Europa do sillte një të ardhme më të mirë. Progres, pas vitesh të stanjacionit dhe luftës. Kjo shpresë sot është kthyer në një nga lëvizjet më të mëdha të migracionit në Europë: Gjenerata e re e shkolluar, që nuk ka përjetuar luftë, ndodhet në eksod. Madje edhe më të vjetrit largohen nga vendi, shumë vijnë në Gjermani. Nga „e ardhmja Europë” ka mbetur vetëm liria, puna në Gjermani dhe braktisja e vendit, shpesh duke punuar në punë pa kualifikim. Europa nuk erdhi. Tani bregdeti kroat lulëzon si rajon turistik, por pasurimi i njërës anë ndeshet me pagesën 3 euro në orë në anën tjetër. Kafenetë në Split quhen tani “Café Ego”.
Europa ka nevojë për guxim
Në këtë javë europiane pati tre zhvillime të rëndësishme, që demonstrojnë dobësinë e Europës, ndarjen brenda saj dhe mungesën e orientimit. Shembullori Macron u nderua me Çmimin Karl në Aachen, ai mbajti një fjalim entuziast për Europën dhe kritikoi politikën fiskale gjermane dhe ekzagjerimin me eksportet. Por ai nuk e njeh Merkelin, nëse mendon se ajo në këtë mënyrë publike mund të ndjehej nën presion. Ai e njeh mirë Gjermaninë, kur thotë, se gjermanët e injorojnë faktin, se çarë akuzash i bëjnë atij francezët për politikën e kursimeve.
Tjetra: Viktor Orban vazhdoi me goditjen e tij duke deklaruar pas rizgjedhjes së tij se ka ardhur fundi i demokracisë liberale.
SHBA hodhi poshtë marrëveshjen atomike me Iranin dhe tregoi me këtë dobësinë e Europës si lojtare globale. Shumë vende në Lindjen e Mesme nuk presin më ndihmë nga SHBA, kurse Europa është shumë e dobët të mbyllë këtë boshllëk. Macron ngriti lart edhe këtu forcën e Europës, por reagimet pas fjalimit të tij në Parlamentin Europian tregojnë, se Merkel nuk është e vetme me hezitimin e saj.
Kjo Europë ka nevojë për guxim, e vërtetë. E kush e do Europën, nuk lodhet duke përmendur paqen që ka sjellë bashkëpunimi europian, më shumë mirëqenie, por jo për të gjithë. Përpjekjet e politikanëve për të bindur njerëzit duhen përkthyer në jetën e përditshme të njerëzve. Deficiti demokratik brenda Bashkimi Europian është kaq i madh, saqë një „Më shumë Europë”, duket shumë e vështirë. Por për këto dobësi të Europës heshtin ata që luftojnë për Europën. E ky është deficiti më i madh i tyre. Dyshimi hedh hije mbi idenë e Shteteve të Bashkuara të Europës. Do të thotë kjo më shumë pushtet për instancën supranacionale, BE – me të njëjtin mangësi legjitimiteti demokratik?
Europa ka nevojë për demokraci
Demokracia liberale nuk kritikohet për shkak të vlerave të saj bazë demokratike, por për shkak të fokusimit të aspektit liberal tek tregjet botërore dhe derregullimin në favor të koncerneve globale, bankave dhe investitorëve të imobilieve. Kjo është Europa e të pasurve, mendojnë shumë vetë. Me „liberal” shumë europianë nuk lidhin më të të drejtat universale njerëzore, por faktin, që në Portugali pas ndërhyrjes së trojkës u shfuqizua limiti i çmimeve të qirave, tregu i apartamenteve u liberalizua. Tani në qendër të Lisbonës vështirë se një portugez me rrogë normale mund të paguajë një apartament. Në vend të kësaj ka turizëm masiv, investitorë të huaj, rroga të ulta, krizë e institucioneve publike. Kapitali i huaj po çrrënjos njerëzit. Mbrojtja e vetme që u mbetet është sulmi ndaj „të huajve”, sepse kapitali financiar në vetvete është abstrakt, kundër tij nuk mund të shprehësh zemërim.
Macron festohet në Gjermani, sepse ai mbajti një fjalim të bukur në ceremoninë e dhënies së Çmimit Karl. Në të njëjtën kohë në Francë, intelektualët organizojnë protesta kundër politikës së tij, që duket se rrezikon të përsërisë gabimet e axhendës 2010 në Gjermani. Stili i Macron u përshkrua nga filozofi Jean-Claude Monod si „liberalizëm autoritar”. Në skenën ndërkombëtare ai di të luajë mirë, por brenda vendit pluralizmi vuan. Shkurtimet e Macron prekin edhe arsimin dhe artin, me të cilat presidenti mjaft erudit krenohet. Etika e kompromisit bëhet më e huaj edhe për Macron. Ndërsa Orban është tani në territorin ku kompromisi nuk gjendet dot më. Patosi i bindjeve personale, pavarësisht se nga cili krah politik, nuk do t‘i bëjë njerëzit të besojnë më shumë tek Europa.
Politikanët europianë duhet t’i përkthejnë në politikë konkrete për qytetarët idealet, për të cilat betohen. Nëse „paqja” nuk mjafton si argument, zien pakënaqësia. Europa mund të bëhet sërish dashuria e europianëve, nëse bëhet fjalë për të „ardhmen tonë” Ndoshta gjenden pastaj në fshatrat e vogël të kontinentit sërish kafene me emrin Europa – vende ku njerëzit festojnë bashkë, dhe nuk shkojnë vetëm për të folur për hallet dhe krizën e identitetit, apo për t’u shërbyer turistëve nga vendet e pasura. Më shumë Europë do të kemi vetëm me më shumë demokraci.
Jagoda Marinic është një shkrimtare gjermano-kroate. Së fundmi është botuar libri i saj „Made in Germany – çfarë është gjermane në Gjermani?” Aty ajo trajton temën e identitetit gjerman në kohë migracioni./DW