Dëme nga zhvlerësimi i euros, ekspertët: Të ndërhyjë Banka
Eksperti i sistemit financiar, Elvin Meka, thotë se ekziston mundësia që me ndërhyrje të rralla Banka e Shqipërisë të ruajë trendin, por pa prishur tregun, thjesht duke shmangur ekseset e krijuara në treg.
Duke e krahasur në fillimin e vitit, euro është zhvlerësuar me 4.9 për qind ndaj lekut.
Dhe është pikërisht ky zhvlerësim i shpeshtë që ka hapur një debat të gjerë mes ekspertëve
“Nuk mund të lëmë pa përmendur pjesën informale, e cila ka një peshë, por nuk do të thosha që është aspekti thirrmues i këtij zhvlerësimi. Duhen marrë në konsideratë edhe një sërë elementesh të tjerë, ku një zë i fortë është edhe rritja e turistëve të huaj. Një aspekt me rëndësi është edhe mungesa e zgjerimit të shpejt monetar”, thotë eksperti Elvin Meka.
Këto luhatje të forta të kursit të këmbimit kanë pasoja të mëdha në ekonomi, pasi ato krijojnë të humbur, por edhe të fituar.
“Të paktën gjatë 3 muajve të fundit, asnjë klient ose konsumator shqiptar nuk ka parë ndonjë efekt rënës në çmime, çka do të thotë se importuesit kanë marrë fitime neto. Dhe këto fitime kanë dalë në kurriz të eksportuesve. Pra, ata që janë të humburit janë eksportuesit”, thotë Elvin Meka.
Duket se pasojat e zhvlerësimit të euros shihen edhe në tregun financiar, pasi favorizon individët dhe bizneset që kanë kredi në euro, por dëmton ata që kanë kursime në këtë valutë.
“Për të kufizuar prirjen emocionale të re që vjen jo nga spekulatorët, por nga klientët e pasofistikuar, të cilët duke parë një treg që zhvlerësohet, rendin të shpejtojnë kursimet e tyre, duke bërë zgjedhjen e gabuar”, tha Meka.