Bota+

Sanksionet: Oligarku rus dorëzon 3 avionë privatë

Manjati rus Oleg Deripaska është detyruar të dorëzojë 3 avionë privatë që kishte marrë me qira, për shkak se sanksionet amerikane të vendosura ndaj tij muajin e kaluar e kanë bërë të pamundur për të mbajtjen e tyre.

Avionët janë prodhime të “Gulfstream”, kompani e njohur për avionë specifikë për biznesmenët për udhëtime të gjata dhe të shkurtra. Lajmi konfirmohet nga kompania që zotëron të drejtën për t’i shitur avionët. Ato janë nxjerrë tashmë në shitje, ndërsa çmimi i kërkuar për dy prej tyre është caktuar në 29.95 milionë dollarë secili.

Rikthimi i avionëve është një tregues sesa thellë kanë goditur sanksionet amerikane perandorinë e biznesit të Deripaskës, duke shkuar përtej ndikimit të drejtpërdrejtë ndaj firmës së tij të aluminit “Rusal”, rrjetet e shitjes dhe furnizimit të së cilës janë prekur rëndë.

Alireza Ittihadieh, drejtor i “Freestream”, një kompani shitjeje avionësh që ka listuar 3 të tijat për shitje, tha se avionët janë pronë e huadhënësve “Credit Suisse” dhe “Raiffeisen”, që ia kishin dhënë hua përmes një kompanie menaxhimi firmave të kontrolluara nga Deripaska.

“Kush i ka përdorur ato? Stafi i lartë menaxherial, përfshi edhe vet Deripaskën”, tha Ittihadieh për “Reuters” në një intervistë telefonike. “Atij i janë vënë sanksione, kompanive të tij gjithashtu. Ndaj u desh që t’i rikthente avionët. Atij iu desh ta ndërpriste para kohe kontratën e qiradhënies, nën ndikimin e sanksioneve”, tha ai, pa specifikuar gjithsesi se cilat rregulla sanksionuese aplikoheshin në këtë rast.

Ndërkohë, një përfaqësues i shërbimit për mediet të kompanisë “Rusal” refuzoi të komentonte mbi këtë zhvillim.

Deripaska është përfshirë në listën e sanksioneve amerikane të 6 prillit, për shkak të asaj që zyrtarët në Uashington thonë se, ai dhe oligarkë të tjerë rusë kanë përfituar nga “aktivitetet malinje” të Kremlinit anembanë botës. Çdokujt të përfshirë në këtë listë i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, ndërsa firmave apo shtetasve amerikanë u ndalohet të bëjnë biznes me individët apo kompanitë e “listës së zezë”.

Jo vetëm kaq, por edhe kompanitë joamerikane mund të ndëshkohen nga Uashingtoni, nëse rezulton të jenë angazhuar në transaksione të rëndësishme me entitetet e sanksionuara.

 

Fraksion.com