AktualitetBota+Të fundit

Parlamenti i Katalonjës debaton të shtunën për presidentin e ardhshëm

Të shtunën parlamenti i Katalonjës do të nisë debatin për zgjedhjen e përkrahësit të fortë për pavarësi, Quim Torra si president të rajonit, pas tërheqjes nga gara të udhëheqësit të shkarkuar Carles Puigdemont.

Ky pritet të jetë hapi i parë i madh përpara në formimin e një qeverie rajonale pas disa muajsh paqartësish politike që nisën nga përpjekja e dështuar për pavarësi e udhëheqësve separatistë të Katalonjës tetorin e vitit të kaluar.

Quim Torra, 55 vjeç, një mbështetës i fortë i pavarësisë u ngarkua nga Carles Puigdemonti me detyrën e vazhdimit të luftës me qeverinë qendrore të Spanjës për të arritur pavarësinë.

Pas zhvillimit të bisedimeve me parti të ndryshme, kryetari i parlamentit të Katalonjës Roger Torrent e propozoi zyrtarisht Quim Torran si kandidat për president dhe vendosi për zhvillimin e një seance të shtunën në mesditë.

Ligjvënësit do të votojnë për kandidaturën e tij në fund të debatit.

Për t’u miratuar zotit Torra i nevojitet një shumicë absolute dhe nëse kjo nuk ndodh ai do të ketë mundësinë për një raund të dytë, të hënën, kur për miratimin e tij në këtë rast do të nevojitej vetëm një shumicë të thjeshtë.

Aktualisht në parlamentin rajonal ka 70 ligjvënës të cilët janë pro pavarësisë dhe 65 kundër.

Por katër prej 70 ligjvënësve i takojnë partisë radikale anti-kapitaliste, të cilë kanë thënë se do të votojë për detyrën e presidentit të rajonit vetëm kandidaturën e Carles Puigdemontin dhe askënd tjetër.

Nëse në raundin e parë ata abstenojnë, kandidatura e Quim Torras do të kalojë për votim raundin e dytë kur i nevojitet vetëm një shumicë e thjeshtë për t’u miratuar. Por nëse ata votojnë kundër, kandidatura e tij do të rrëzohej.