Lu – Ramës: Fol në emrin tënd, ne flasim vetë!
Ambasadori i SHBA në Tiranë ka komentuar për Report Tv akuzat e Partisë Demokratike për Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Reagimi i ambasadorit amerikan vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama u shpreh nga foltorja e Kuvendit se nëse akuzat e opozitës do kishin përgjegjësi mbi ministrin, i pari që do fliste do ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu.
Lidhur me këtë qëndrim të kreut të qeverisë, ambasadori amerikan, Donald Lu, jep këtë mesazh: “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj”.
Opozita akuzon maxhorancën dhe veçanërisht ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ka mbrojtur vëllain e tij, i dënuar me 7 vite burg për trafik droge në Itali, duke i shpëtuar ekstradimit përmes ndryshimit të nenit 491 në Kodin e Procedurës Penale.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit se akuzat e PD janë avaz i vjetër, ndërsa theksoi se nëse këto akuza për vëllain e Fatmir Xhafajt do kishin përgjegjësi për ministrin, të parët që do flisnin do ishin ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe përfaqësuesja e delegacionit të BE.
Vetë Fatmir Xhafaj tha se akuzat e pakicës janë baltosje, pasi historiku i të kaluarës së të vëllait 15 vite më parë, nuk është një çështje që i përket atij. Sipas Xhafajt, ndryshe nga sa pretendon PD, autoritetet italiane nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë zyrtarisht për këtë çështje.