Gjykata Speciale publikon listën e dytë të avokatëve mbrojtës
Listat e publikuara përmbajnë emrat e 87 profesionistëve të fushës së drejtësisë nga Kosova, Serbia, dhe një numër vendesh të tjera. Mbrojtësit mund të zgjedhin nëse duan që emrat e tyre të përmenden në faqen e internetit të DHSK-së, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.
Ky është raundi i dytë i njoftimeve, pas Listave të shpallura më 14 mars 2017. Listat publike të mbrojtësve mund të shihen në tabelën që gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
Sipas njoftimit për media kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, ka përgëzuar të gjithë kandidatët duke përkujtuar për kriteret e rrepta për pranim në këto lista.
“Kriteret e rrepta janë garanci që të pandehurit dhe viktimat do të kenë mundësinë të përfaqësohen në mënyrë profesionale dhe efektive para DHSK-së, çka do të kontribuojë më tej për forcimin e integritetit të administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se që nga nisja e këtij procesi, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta për pranime në lista.
“Shqyrtimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve vazhdon. Si rrjedhojë, këto Lista të Mbrojtësve do të përditësohen vazhdimisht dhe në to do të pranohen edhe kandidatë të tjerë ndërkohë që vazhdon procesi i shqyrtimit të kandidaturave të tyre. Pra, procesi do të mbetet i hapur”, thuhet në komunikatë./Express