AktualitetBota+Të fundit

Turqi, Presidenca: Garojnë 6 kandidatë

Bordi i Lartë Zgjedhor i Turqisë ka lëshuar një listë jozyrtare të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas listës, për të cilat kundërshtimet mund të shprehen deri më 11 maj, gjashtë kandidatë do të kandidojnë për postin e presidentit në Turqi: Recep Tayyip Erdoğan, Muharrem Ince, Meral Akşener, Selahattin Demirtaş, Temel Karamollaoğlu dhe Doğu Perinçek.

Në prill të këtij viti, parlamenti miratoi një projekt-ligj për shkuarje në zgjedhje të parakohshme më 24 qershor, duke synuar forcimin e sistemit presidencial të Turqisë të miratuar me referendum vitin e kaluar.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite.

Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet janë vendosur të hyjnë në zgjedhjet e 24 qershorit si aleancë zgjedhore.

Aleanca MHP-AK Parti mbështet presidentin aktual Erdoğan, i cili kërkon mandatin e tij të dytë si president.

Erdoğan ka shërbyer si president nga viti 2014 dhe është presidenti i parë turk i zgjedhur me votë popullore. Para kësaj, ai shërbeu si kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014.

Nëse do të fitojë zgjedhjet e qershorit, ai do të bëhet udhëheqësi i parë i Turqisë nën sistemin presidencial që, ndër të tjera, largon postin e kryeministrit.

Partia Popullore Republikane (CHP), nga ana tjetër, e ka nominuar Muharrem Ince si kandidatin e saj presidencial për zgjedhjet e parakohshme të 24 qershorit.

Ndërkaq, Partia IYI (Mirë) ka lëshuar në qarkullim një peticion për ta nominuar udhëheqësen e partisë Meral Akşener si kandidaten e tyre në zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit.

Akşener tejkaloi 100 mijë nënshkrime për të qenë kandidate presidenciale.

Partia Saadet shpalli kryetarin e saj Temel Karamollaoğlu si kandidatin e tyre presidencial.

Karamollaoğlu gjithashtu tejkaloi 100 mijë nënshkrime për të garuar si kandidat.

Partia Demokratike e Popujve (HDP) e nominoi ish-kryetarin e burgosur Selahattin Demirtaş si kandidat presidencial.

Në nëntor të vitit 2016, Demirtaş së bashku me 12 ligjvënës të HDP-së u arrestuan me akuza për terrorizëm. Demirtaş mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit.

Së fundmi, Dogu Perinçek, kryetar i Partisë Vatan, tejkaloi 100 mijë nënshkrime për të garuar si kandidat për president në zgjedhjet e 24 qershorit.