AktualitetBota+Të fundit

Sergey Lavrov: Tensionimi mes Izraelit dhe Iranit “një tendencë shqetësuese”

 Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, tensionimin mes Izraelit dhe Iranit e vlerësoi si një tendencë “shqetësuese”.

Lavrov në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij gjerman, Heiko Maas, foli në lidhje me tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore me Iranin si dhe në lidhje me zhvillimet në Siri.

Duke vënë në dukje se SHBA-të me vendimin e tërheqjes nga marrëveshja bërthamore me Iranin ka shkelur vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Lavrov tha se “Na shqetëson seriozisht vendimi i SHBA-ve për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin”.

Ai theksoi se Rusia po e çmon reagimin e balancuar të Iranit ndaj këtij vendimi të SHBA-ve. Lavrov tha se duhet të vlerësohen mirë rezultatet e këtij hapi të Washingtonit dhe sipas tij Rusia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Irani ende nuk e kanë vlerësuar këtë temë dhe se në një të ardhme të afërt do të bisedojnë për këtë çështje.

Lavrov foli edhe për marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit, ku tha se “Ngritja e tensionit mes Iranit dhe Izraelit është një tendencë shqetësuese. Të gjithë problemet duhet të zgjidhen nëpërmjet rrugës së dialogut. Rusia gjatë bisedave me zyrtarët izraelitë dhe iranianë theksoi rëndësinë e shmangies së çfarëdo sjelljeje provokuese reciproke. Këtë presidenti i Rusisë Vladimir Putin e theksoi edhe në bisedën me kryeministrin e Izraelit, Binyamin Netanyahu. E pamë se Irani dhe Izraeli nuk e kanë një qëllim të tillë. Por ngjarjet po ndodhin”.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Maas, tha se po ndjen shqetësim nga qëndrimi i Iranit ndaj Izraelit. “Po ndjekim me një shqetësim të madh ato që po ndodhin në Kodrat Golan. Po vijnë informacione se në pikat e Izraelit në Kodrat Golan po shkrepen raketat e Iranit. Kjo është e papranueshme”.

Në lidhje me tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Maas tha se “Tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore dhe rifillimi (i sanksioneve ndaj Iranit), për nga aspekti jonë, çon prapa përpjekjet për ofrimin e paqes në rajon”./AA