Lirohet ish-deputeti Mark Frroku; PD, lirimi i Mark Frrokut, fundi i shtetit ligjor
Ish deputeti Mark Frroku është liruar nga burgu. Gjykata e Fierit me një vendim të ditëve të fundit i ka falur kohën e mbetur të dënimit prej 1 viti e 5 ditësh, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Frrokut.
Ai u dënua në prill të vitit të kaluar nga gjykata e shkallës së parë e Tiranës me 7 vjet e 6 muaj burgim për akuzat e fshehjes së pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm.
Ndërsa në janar të këtij viti gjykata e Apelit po në Tirane ia reduktoi dënimin ne 6 vjet burg për të njëjtat akuza. Ndërsa gjykata e Fierit së fundmi ka vendosur lirimin para kohe të Frrokut. Përveç akuzave për të cilat u shpall fajtor, Frroku u dyshua edhe për vrasjen e shtetasit shqiptar Aleksander Kurit në vitin 1999 në Belgjikë, por këto dyshime nuk u provuan.
Ndërkohë javën e ardhshme në gjykatën e Tiranës pritet të nisë një tjetër proces ndaj Frrokut, atë ku së bashku me Tom Doshin dhe Durim Banin akuzohen për dëshmi të rremë për një atentat ndaj një deputeti të opozitës.
Por Partia Demokratike ka reaguar pas lirimit të ish-deputetit Mark Frroku, të cilit i kishte mbetur edhe 1 vit burg për të shlyer. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat PD e cilëson lirimin e Frrokut si fundin e shtetit ligjor dhe i bën thirrje njerëzve të zakonshëm të marrin në dorë fatet e tyre.
“Lirimi i ish-deputetit të akuzuar për vrasje Mark Frroku është prova më e re se drejtësia është plotësisht nën kontrollin e Edi Ramës dhe kupolës së tij mafioze.
Kryegjykatësi Edi Rama liroi mikun e tij Mark Frroku duke vepruar njësoj si me vëllain e tij vrasës të kryekomisarit, Arben Frroku.
Lirimi i Mark Frrokut, familja mafioze Xhafaj, kompromentimi i hetimeve për Saimir Tahirin, kapja e plotë e prokurorisë janë fundi i shtetit ligjor në Shqipëri!
Në këto kushte i vetmi që mund të japë shpresë është populli. Ka ardhur koha që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët nuk duan të sundohen nga krimi, të marrin në dorë fatin e tyre. Ose qeveria mafioze e Edi Ramës, ose Shqipëria. Të dyja bashkë nuk mund të zgjasin më!” thuhet në deklaratën e PD.