Iowa dhe Kosova me programe të reja bashkëpunimi
Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe shtetit amerikan të Iowas duhet të shërbejnë si model bashkëpunimi, tha sot në Prishtinë komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjenerali Timothy Orr. Në një debat mbi bashkëpunimin Kosovë-Iowa nga viti 2014 deri më tani, organizuar nga Oda Amerikane në Kosovë, u tha se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve po zgjerohen.
“Vitin e kaluar unë erdha në Kosovë me një delegacion të përbërë nga 17 persona që përfaqësonin një gamë të gjerë sektorësh, nga bujqësia te biznesi. Ndërsa këtë vit kemi mbi 50 anëtarë në delegacion. Kështu që ne e kemi parë këtë marrëdhënie të rriten çdo vit dhe jam shumë i lumtur për atë çka po shoh në këtë udhëtim këtë vit, ku tashmë po arrihen disa marrëveshje për të cilat jemi pajtuar në mënyrë jo formale dhe unë e shoh këtë marrëdhënie duke u rritur në vazhdimësi”, tha komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Timothy Orr.
Kosova dhe Iowa kanë nënshkruar marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi posaçërisht në fushën ushtarake, ku që nga viti 2011 Garda Kombëtare e Iowa-s ka zhvilluar ushtrime dhe trajnime të ndryshme, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kim Heidemann, kryetare ekzekutive e organizatës joqeveritare “Shtetet simotra të Iowas” tha se nga ky vit bashkëpunimi do të shtohet me theks të veçantë në fushën e edukimit.
“Ne do të fillojmë një program për të rinjtë që lidhet me bujqësinë, ku do të lidhim pesë shkolla nga Iowa me pesë shkolla të Kosovës. Ky program do të fillojë këtë vjeshtë me një grup studentësh nga Iowa që do të vijnë në Kosovë në muajin shtator dhe pastaj një grup i studentëve të Kosovës do të vijnë në Iowa vitin që po vjen”, tha zonja Heidemann.
Konsulli i Kosovës në Iowa, Xhavit Gashi, tha se në këtë shtet kërkesa për prodhimet e Kosovës është e madhe prandaj beson se ky bashkëpunim do të rritet shpejt edhe në aspektin ekonomik.
“Është një fillim i mirë me plasimin dhe shitjen e verës Stone Castle në tregun e Iowas ndërsa jemi në përpjekje që të jetë atje edhe “Prince caffe”. Ka qytete që kanë ofruar edhe objektet e veta pa qera vetëm që të kenë një kafene nga Kosova, gjithashtu ka interesim që të ketë restorante nga Kosova me ushqimin e kuzhinave tona. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar dhe vizita si ajo e vitit të kaluar dhe kjo e këtij viti, identifikojnë fusha të reja të bashkëpunimit”, tha zoti Gashi.
Në vitin 2013 Kosova dhe shteti i Iowas nënshkruan marrëveshje të partneritetit të ndërsjellë në përpjekje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Nënshkrimi i marrëveshjes dhe angazhimi i shumë anshëm i shtetit të Iowa në Kosovë për Prishtinën zyrtare dëshmon se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten partner strategjik i Kosovës sikundër që ishin në proceset që quan në lirinë dhe pavarësinë e saj./VOA