Haspel: Jo më taktika të papranueshme të marrjes në pyetje
Programi i marrjes në pyetje të të paraburgosurve të CIA-s ishte dje në qendër të vemendjes në Kongres ku kandidatja e presidentit Donald Trump për të drejtuar agjencinë e zbulimit dëshmoi në një seancë konfirmimi të Senatit. Drejtoresha në detyrë e CIA-s, Gina Haspel mbikqyrte një qendër sekrete të marrjeve në pyetje në Tajlandë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe, vite më vonë, mbështeti asgjësimin e videokasetave ku ishin regjistruar seancat e marrjes në pyetje nga CIA të personave të parabugosur.
Gina Haspel shkoi në Kongres me një mesazh: CIA u ka dhënë fund taktikave të marrjeve në pyetje të personave të dyshuar dhe të burgosur për terrorizëm.
“Unë kurrë nuk do ta ktheja atë program të marrjes në pyetje në CIA … Ne nuk po kthehemi më tek ajo praktikë”.
Përsa i përket veprimeve të CIA-s në të kaluarën, përfshirë teknikat e tjera të marrjeve në pyetje që konsiderohen si torturë, zonja Haspel tha se agjencia po vepronte nën një kornizë ligjore të ndryshme nga ajo që ekziston sot, duke punuar për të mbrojtur Amerikën pas një sulmi të tmerrshëm.
“Ne ishim ngarkuar me detyrën për të siguruar që vendi nuk do të sulmohej përsëri dhe ishim informuar se teknikat në programin e CIA-s ishin të ligjshme dhe të autorizuara nga autoriteti më i lartë ligjor në vendin tonë, si dhe presidenti George W. Bush”, tha zonja Haspel.
Shumë demokratë nuk ishin të kënaqur me përgjigjen, duke vënë në dukje se vetë Presidenti Trump ka folur në favor të torturimit të luftëtarëve të kapur.
“A besoni se programi i marrjes në pyetje bazohej në vlerat amerikane?”, pyeti senatori Mark Warner.
“A besoni se këto teknika të marrjes në pyetje ishin të pamoralshme?”pyeti senatorja Kamala Harris.
“Senatore, ajo që besoj sot, e ulur këtu përpara jush, është se unë mbështes standardin më të lartë moral që ne kemi vendosur të mbajmë”,tha zonja Haspel.
“Ju lutem përgjigjuni pyetjes”, tha senatorja Harris.
“Senatore, mendoj se iu përgjigja pyetjes”, tha zonja Haspel.
“Nuk mendoj kështu”, tha senatorja.
Republikanët ndërkohë, vlerësuan karrierën 33-vjeçare të zonjës Haspel në CIA, nga operative në shumë vende të botës e deri tek emërimi për të shërbyer si drejtoresha e parë grua e agjencisë.
“Nëse dikush si ju, me historinë tuaj, me përvojën tuaj të shërbimit dhe sakrificës – nëse dikush si ju nuk mund të konfirmohet të drejtojë këtë agjenci, atëherë nuk e di se kush mundet?”, tha senatori Marco Rubio.
“Kjo seancë ka të bëjë me mënyrën se si do ta udhëhiqni Agjencinë Qendrore të Inteligjencës në të ardhmen, jo se si keni kryer misionet me besnikëri në të kaluarën”, tha senatori Richard Burr.
Por sipas një ish analisteje të CIA-s, e kaluara mund të vlejë për të ardhmen.
“Si do të veprohet pas pesë apo 10 vjetësh, nëse ndodh një tjetër 11 shtator? Shpresoj vërtet të mos ndodhë. Por njerëzit që punojnë në CIA e dinë se Amerika po u kërkon atyre që ta mbajnë vendin të sigurt. Çfarë teknikash do të shpikin nëse kjo ndodh?” pyet analistja Gail Helt.
Zonja Haspel u zotua se nuk do të ndjekë asnjë urdhër të pamoralshëm në të ardhmen. Ajo pranoi rolin e saj në asgjësimin e videokasetave por këmbënguli se kjo ishte bërë për të mbrojtur identitetet e agjentëve të CIA-s.
Të paktën një republikan në Senat e kundërshton emërimin e zonjës Haspel, prandaj ka të ngjarë që ajo të ketë nevojë për mbështetjen e disa demokratëve për të siguruar konfirmimin./VOA