Fondi i Kompensimit, AMF: Brenda 2018 do përfundojë procesi i pagesave të prapambetura
Një ndër synimet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është përfundimi i procesit të pagesave të prapambetura që i përkasin periudhës 2001-31.12.2013, zbutjen e detyrimeve të prapambetura që i përkasin periudhës 1.1.2014- 31.12.2017, si dhe frenimi i fenomenit të akumulimit të moskryerjes së pagesave brenda afateve kohore, si kompensim i të aksidentuarve nga persona të pasiguruar.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend, i cili pritet që të nisë diskutimet së shpejti, sqarohet se deficiti i Fondit të Kompensimit, për dëmet e papaguara në vite, sipas rekomandimeve të FSAP, duhej të shlyhej brenda periudhës 2014-2016.
“Negocimi i afatit trevjeçar lidhej me situatën e vështirë financiare dhe të likuiditetit të tregut në vitin 2013, nisur nga zbatimi i tarifave nën kosto të sigurimit të detyrueshëm motorik. Edhe pse tarifat u stabilizuan një vit më pas, ky detyrim mbetet edhe sot në nivele të përafërta me ato të vitit 2013. Kujtojmë që në periudhën e monitorimit të zbatimit të kësaj mase stabilizimi, përkatësisht 2014-2016, ka pasur një keqinformim të Kuvendit dhe publikut në lidhje me masën e shlyerjes së këtij detyrimi, ndërkohë që kjo masë nuk u zbatua me efektivitet duke krijuar një ngërç, i cili vendos nën presion zhvillimin dhe shëndetin financiar të tregut.”- thuhet në raport.
Për vitin 2017, Fondi i Kompensimit për shlyerjen e detyrimeve për pagesat e dëmeve pezull me datë ngjarje sigurimi deri në 31.12.2013, të jetë në vlerën 468.000.000 lekë, sipas pikës 2, të vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve të Byrosë Shqiptare të. Sigurimit nr. 6, datë 20.03.2017. Fondi i Kompensimit ka për qëllim pagesën e dëmeve pasurore dhe jo pasurore sipas parashikimeve të neneve 21, 29, 30 e 31 të Ligjit nr. 10 076, datë 12.02.2009, dhe miratohet çdo vit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me propozimin e Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë së Shtetit.