CIA: Kandidatja e diskutueshme
Për herë të parë në histori një grua do të drejtojë shërbimin sekret amerikan. Por, Gina Haspel ka një të kaluar të errët në CIA. Senati duhet të marrë vendim nëse ajo është e përshtatshme si drejtuese e CIA.
Gina Haspel ka një karrierë të gjatë në Central Intelligence Agency, shkurtimisht CIA. Ashtu siç bëhet e ditur, për shkak të ruajtjes së sekretit të shërbimeve, asgjë nuk dihet me saktësi. Por mendohet që ajo të ketë filluar të punojë për shëbimin amerikan të spiunazhit më 1985. Nëse Senati në Uashington e aprovon, atëherë Haspel bëhet gruaja e parë në krye të CIA dhe që prej 50 vjetësh, e para që ka arritur të ngjitet në karrigen e drejtueses duke filluar punën si agjente. 61 vjeçarja është aktualisht zëvendësdrejtore e CIA-s. Që kur shefi i saj i deritanishëm, Mike Pompeo, u emërua ministër i Jashtëm, ajo është drejtuese komisare e CIA.
Pikërisht karriera e gjatë në shërbimin sekret mund të kthehet tani në problem. Meqenëse ajo ka qenë me mision dekada me radhë në pika të ndryshme të CIA-s në botë, ka edhe shumë njolla në karrierë. Publiku nuk di çdo detaj për karrierën e një agjenteje, kjo kuptohet. Por, boshllëqet në biografi janë kthyer tani në sfidë për senatorët, që marrin vendimin për emërimin e Haspelit.
Sidomos i paqartë është roli që ka luajtur ajo në programin e dorëzimit, arrestimit dhe marrjes në pyetje të CIA mbas 11 shtatorit 2001. Gjatë kësaj periudhe rrëmbimet dhe dorëzimet e të dyshuarve terroristë në burgjet famëkeqe sekrete kanë qenë në rend të ditës, dhe me të burgosurit janë përdorur “metoda të zgjeruara të marrjes në pyetje”. Një prej tyre: Waterboarding, gjatë të cilit simulohet mbytja në ujë, një masë që vlerësohet si torturë nga aktivistë të të drejtave të njeriut.
Një nga akuzat kryesore të kundërshtarëve të saj është se ajo ka drejtuar më 2005 një nga këto burgje në Tailandë, ku të dyshurit për terrorizëm janë torturuar. Një akuzë tjetër thotë se me urdhër nga lart, Haspel duhet të ketë urdhëruar zhdukjen e videove, që janë xhiruar kur janë kryer marrjet në pyetje. Të dy këto ngjarje janë dokumentuar nga grupe të të drejtave të njeriut dhe të mediave. Për shkak të këtyre rezervave, Haspelit iu ofrua javën e kaluar të tërhiqet nga procesi i zgjedhjes.
Megjithatë nëndrejtoresha e CIA-s ka edhe përkrahës, për shembull nga radhët e ish shërbyesve të lartë sekret. Ata kanë shkruar një letër të hapur në përkrahje të Haspelit. Edhe shumë deputetë janë në krah të saj. Argumenti që ata përdorin është se Haspel është e kualifikuar për të drejtuar CIA-n. Dhe për rolin e saj në zhdukjen e videove, Haspel ka zbatuar urdhërat, prandaj nuk është nevoja të japë llogari.
Për kundërshtarët e saj kjo nuk mjafton. Më shumë se 100 ushtarakë të lartë kanë shkruar një letër po ashtu të hapur, për të penguar emërimin e agjentes në kryesi të CIA.
Për të ndriçuar të kaluarën e errët të Haspelit, duhen publikuar dokumente sekrete. Ekspertët shpresojnë që Senati të ndriçojë rastin, por ata nuk janë shumë optimistë.
Gina Haspel vetë të mërkurën premtoi se nën drejtimin e saj, CIA nuk do të përdorë më programin e metodave të zgjeruara të marrjes në pyetje, si waterboarding, që konsiderohet si torturë. “Mund t’iu siguroj qartë dhe pa kufizime vendosmërinë time”, tha Haspel./DW