AktualitetEkonomiTë fundit

BSH: Mbiçmimi i lekut, tregues për forcimin e ekonomisë

Banka e Shqipërisë ka argumentuar se kursi i këmbimit, që ka shfaqur një tendencë mbiçmuese të lekut dhe rënie të vazhdueshme të euros, është ndikuar nga faktorë afatshkurtër të paktën sa i përket monedhës së përbashkët.

“Kursi i këmbimit forcoi ritmet mbiçmuese muajt e fundit me një mbiçmim prej 5.3% ndaj gjithë shportës së monedhave, si rrjedhojë e reflektimit të euros. Në analizat e bankës, kjo prirje është në linjë me fondamentet e ekonomisë, tregon për një ekonomi që po forcohet. Në tremujorë të veçantë, kursi është ndikuar nga prurjet valutore, që kanë qenë afatshkurtër”, u nënvizua nga Banka e Shqipërisë gjatë prezantimit të Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë 2018.

BSH ka konfirmuar edhe një herë se rol në mbiçmimin e kursit të këmbimit kanë luajtur transaksionet e operatorëve të mëdhenj, ndërkohë që oferta në valutë ka qenë më e lartë se kërkesa.

Ekonomia, inflacioni, kushtet e financimit

BSH nënvizon se informacioni i ri ekonomik dhe financiar i analizuar ka rezultuar në përputhje me pritjet. “Rritja ekonomike u ngadalësua në tremujorin e katërt 2017, kurse inflacioni u rrit në tremujorin e parë 2018. Kushtet e financimit mbeten lehtësuese dhe mbështesin nxitjen e kërkesës agregate. Megjithatë, kreditimi i sektorit privat vijon të jetë i moderuar. Inflacioni mesatar i tremujorit të parë shënoi nivelin 1.9%, duke shënuar rritje të lehtë në një tremujor më parë. Rritja e atribuohet rritjes së çmimit të qirasë dhe çmimeve të administruara. Rritja e inflacionit u favorizua nga zgjerimi i kërkesës agregate dhe presioneve të brendshme të inflacionit. Inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3%”, – nënvizon Banka në raport.

Rritja ekonomike në tremujorin e fundit 2017 ishte 3.4 për qind e mbështetur sipas Bankës nga rritja e shpenzimeve konsumatorë dhe investimeve private ndërkohe që stimuli fiskal është reduktuar. Deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë është zgjeruar.

“Të dhënat e disponuara sugjerojnë për ritme të ngjashme rritjeje edhe në tremujorin e parë të vitit 2018 Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia do të vijojë të rritet gjatë horizontit afatmesëm, e ndihmuar nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, rritja e presioneve të huaja inflacioniste dhe ankorimi më i mirë i pritjeve inflacioniste afatmesme, krijojnë premisa për forcim in e presioneve inflacioniste. BSH parashikon se inflacion i do të kthehet në objektiv brenda vitit 2019” pohon BSH duke nënvizuar se politika monetare do të vijojë të jetë në kahun stimulues.