AktualitetBota+Të fundit

BE thirrje për zgjidhje politike të krizës në Jemen

Bashkimi Evropian (BE) është shprehur se gjatë periudhës së fundit situata humanitare në Jemen është përkeqësuar dhe ka bërë thirrje që në mënyrë urgjente të gjendet një zgjidhje politike për konfliktin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga zyra e Përfaqësueses së Lartë për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë e BE-së, Federica Mogherini, thuhet se rritja e tensioneve dhe konflikteve në Jemen po e dëmton mundësinë e zgjidhjes politike.

Duke theksuar se gjatë javëve të fundit në Jemen është rritur tensioni dhe se është përkeqësuar gjendja humanitare, në deklaratë thuhet se gjatë këtij procesi kanë humbur jetën shumë civilë dhe se është dëmtuar shumë infrastruktura.

“Problemi në Jemen zgjidhet vetëm nëpërmjet rrugës politike. Vetëm një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse dhe e negociuar ofron stabilitet dhe paqe në shtet dhe rajon, duke i dhënë fund konfliktit”, thuhet në deklaratë.