AktualitetBota+Të fundit

Bashkimi Evropian dhe Rusia gati ta izolojnë Donald Trump-in

Çdo veprim i Presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Marrëveshja bërthamore e Iranit, do të rrezikonte izolimin e Uashingtonit, pasi Bashkimi Evropian dhe pesë fuqitë e tjera që ndërmjetësuan marrëveshjen, këmbëngulin se do të mbeten të përkushtuara ndaj saj.

Të pesë fuqitë – Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar – të gjitha kanë përsëritur në ditët e fundit se do t’i përmbahen paktit, të quajtur saktësisht Plani i Përbashkët i Përbashkët i Veprimit.

Trump pritet të shpallë zyrtarisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqet dhe se ai do të vendosë sanksione kundër Iranit, të cilat mund të rrezikojnë shkatërrimin e marrëveshjes.

“Ne jemi të vendosur ta shpëtojmë këtë marrëveshje, sepse ajo garanton mospërhapjen e armëve bërthamore dhe është rruga më e drejtë për të ndaluar Iranin nga pajisja me armë bërthamore”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, gjatë një vizite në Berlin.

Ndërkohë një zëdhënëse e Komisionit Evropian, tha të martën se Brukseli është i palëkundur në mbështetjen e tij për Marrëveshjen.

“Është shumë e qartë, që ne besojmë se marrëveshja po funksionon, dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar për zbatimin e saj. Ne besojmë se Marrëveshja duhet të ruhet!”, tha zëdhënësja Maja Koçijançiq.

Qëndrimit të saj i bëri jehonë edhe zëdhënësi zyrtar i Kryeministres britanike Theresa May, i cili tha se “Ne kemi qenë të qartë prej disa muajsh, se vazhdojmë të besojmë se është e drejtë të ruajmë marrëveshjen bërthamore të Iranit, si mënyra më e mirë për neutralizimin e kërcënimit nga një Iran i armatosur me armë bërthamore”.

Megjithatë, ai pranoi se “ka gjëra që marrëveshja nuk i mbulon dhe të cilat duhet t’i adresojmë, duke përfshirë raketat balistike, atë se çfarë ndodh kur të skadojë marrëveshja dhe aktivitetin destabilizues rajonal nga ana e Iranit. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian, mbi mënyrën se si adresojnë gamën e sfidave që Irani paraqet në Lindjen e Mesme, përfshirë ato çështje që mund të mbulojë një marrëveshje e re”.

Rusia dhe Kina, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët fundjavën e shkuar, duke deklaruar ‘mbështetjen e tyre të palëkundur për zbatimin e plotë dhe efektiv’ të marrëveshjes, duke cituar “domosdoshmërinë urgjente që të gjitha palët në Marrëveshje t’i përmbahen më përpikmëri dhe të zbatojnë plotësisht zotimet e tyre”.

Ndërkohë Irani është shprehur se nuk është i gatshëm të ri-negociojë marrëveshjen.

Pavarësisht ankesave të përsëritura nga Donald Trump rreth Marrëveshjes së vitit 2015, e cila u nënshkrua nga paraardhësi i tij Barack Obama, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se Teherani po i përmbahet paktit.

Marrëveshja i dha fund sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit, në këmbim të kufizimeve të rrepta në programin e tij bërthamor për qëllime paqësore civile.

Pakti imponoi ndërkohë një regjim inspektimi dhe monitorimi, nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Në mesin e një aktiviteti diplomatik përpara njoftimit të Trump, zyrtarë nga Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe u takuan të martën në Bruksel me një delegacion të zyrtarëve iranianë të kryesuar nga zëvendësministri i Jashtëm për çështjet politike, Abbas Araghchi.

Vetë Marrëveshja nuk ka asnjë nen që i kërkon Trump të vërtetojë, sesa Irani është duke zbatuar atë dhe ai në fakt nuk pranoi ta bënte këtë në tetor të vitit të kaluar. Një lloj certifikimi i tillë u krijua pas Marrëveshjes, me ligjin e miratuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu dhënë ligjvënësve disa autorizime mbi marrëveshjen. Ndërkohë nuk ka asnjë dispozitë në marrëveshje që ndonjë palë që ‘tërhiqet’ prej saj.

Ndërsa, Administratat e Obamës dhe Trump, kanë pohuar se kjo është një marrëveshje politike vullnetare, fuqitë evropiane kanë insistuar se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që e miratoi Marrëveshjen, e bën atë të detyrueshme për të gjitha palët.

Krerët evropianë, duke përfshirë edhe Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, i kanë kërkuar Presidentit amerikan, Donald Trump t’i qëndrojë kësaj Marrëveshjeje. Por gjatë një vizite në Uashington, Macron tha se pret që Trump ta braktisë atë.

Pikëpamjet kundërthënëse mbi Marrëveshjen e Iranit, janë pjesë e një serie mosmarrëveshjesh të mëdha midis Trump-it dhe aleatëve tradicionalë evropianë. Ndërkohë Vladimir Yermakov, drejtori i mospërhapjes dhe kontrollit të armëve në ministrinë e Jashtme ruse, tha se nëse Trump shkel Marrëveshjen, atëherë Uashingtoni duhet të përballet me sanksione.

Yermakov, tha se nuk do të kishte asnjë bazë për rivendosjen e sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Iranit. Izraeli i ka kërkuar Trump-it të shfuqizojë Marrëveshjen, ndërsa demokratët në senatin amerikan i kanë bërë thirrje atij të respektojë atë.

Irani ka akuzuar Trump-in, se po kërkon të braktisë Marrëveshjen dhe refuzon të zbatojë pjesën e saj në këtë pakt.

“Kur blini një shtëpi. Nuk mund të ktheheni dy vjet më vonë, dhe të përpiqeni të ri-negocioni çmimin”, tha ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, në një deklaratë të fundit televizive. /Politico.eu