AktualitetPolitikëTë fundit

Akuzat e PD për ministrin Xhafaj

 Në Shqipëri, Partia demokratike ju rikthye sot në parlament akuzave ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, se ka marrë në mbrojtje vëllanë e tij, të dënuar në vitin 2012 në Itali me 7 vite e dy muaj burg për pjesmarrje në organizata kriminale të cilat merreshin me trafik lëndësh narkotike. Sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha ai duhej arrestuar dhe esktraduar. Por kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ka patur asnjë kërkesë nga pala italiane. Megjithatë opozita lëshoi dhe një tjetër akuzë, kur u shpreh se sipas saj, zoti Xhafaj, kur mbulonte detyrën e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve, ka ndërhyrë për të ndryshuar një nen të Kodit të procedurës penale, vetëm për të mbrojtur të vëllanë.

Për opozitën sot në parlament kishte vetëm një cështje, atë të nisur prej saj një ditë më parë e që lidhej me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i arrestuar në Itali në vitin 2002, si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, dhe i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg nga Gjykata e Apelit të Lecce-s, vendim i konfirmuar një vit më vonë dhe nga Gjykata e Kasacionit. Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi direkt ministrin se ka marrë në mbrojtje të vëllanë i cili siç tha ai, është i dënuar por nuk ka vuajtur asnjë ditë dënimin. “Eshtë detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7 vjet e dy muaj burgim”, deklaroi zoti Basha.

Ministri i Brendshëm, i cili ka folur disa herë publikisht për këtë cështje, edhe mbrëmë deklaroi se “kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje.”

Edhe sot në sallën e parlamentit, të cilën demokratët e brakstisën pas fjalës së kryetarit Basha, kryeministri Edi Rama tha se “nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale nga autoritetet e vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare për 6 vjet me radhë. Asnjë kërkesë”

Por ashtu siç paralajmëroi në fjalën e tij zoti Basha, më vonë nga selia e Partisë demokratike, ndaj ministrit të Brendshëm u lëshua një tjetër akuzë. Sipas demokratëve, duke shfrytëzuar pozicionin si kryetar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, zoti Xhafa ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim në kodin e procedurës penale që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. Por sipas demokratëve që ju referuan dokumentave të parlamentit, propozimi i mëparshëm ka patur një tjetër formulim sipas të cilit, ekstradimi nuk kryhet kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar.”, duke parashikuar në këtë rast se “Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij”.

Ky formulim ka marrë sipas ekspertit ligjor demokrat Gazmend Bardhi miratimin e Komisionit të Ligjeve, por është hequr në momentin kur projekti i ka shkuar seancës për miratim. “Ky version, që është kontrabanduar për miratim seancës plenare në datën 30.03.2017, nuk është produkt i diskutimeve në mbledhjet e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndryshimi sipas këtij versioni të miratuar, është bërë pas votimit nga Komisioni, personalisht nga Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj. Është e qartë se pas këtij ndryshimi fshihet një dhe vetëm një çështje. Shpëtimi i Agron Xhafajt nga drejtësia. Fatmir Xhafaj është përpjekur ta fshehë ndryshimin që kishte falsifikuar”, u shpreh Bardhi.

Sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, zoti Xhafaj ka konsumuar veprat penale të korrupsionit të zyrtarit të lartë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare./VOA