Sporti dhe marrëdhëniet Kosovë – Serbi
Përfaqësuesja e Kosovës në Karate, shkon të mërkurën në Novi Sad për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, që mbahet prej 10 deri më 13 maj, ndonëse nuk është e sigurt se si do të trajtohet atje.
Zyrtarët e kësaj përfaqësueseje thanë se presin që Kosova të trajtohet në mënyrë të njëjtë në konkurrencë, ndërsa paralajmëruan se nuk do të garojnë nëse veçohen nga ekipet tjera.
Të dielën zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha se Kosova nuk mund të shpalosë simbolet e saj në këtë kampionat.
Në një komunikatë të kësaj zyreje që drejtohet nga Marko Gjuriç, thuhet se karateistët nga Kosova do të përfaqësohen me emër dhe mbiemër dhe me stemën e Federatës së Karatesë së Evropës”. Kjo sipas komunikatës do të shmangte “mundësinë që një manifestim ndërkombëtar sportiv të keqpërdoret për promovimin e separatizmit dhe shkeljes së të drejtës ndërkombëtare”, shkruan VOA.
Ndërkohë, pjesëtarët e një lëvizjeje djathtiste në Serbi thanë se do të bllokojnë rrugët qëndrore të Novi Sadit, nëse karateistët e Kosovës marrin pjesë në kampionatin e karatesë, në shenjë hakmarrjeje për faktin se autoritetet në Kosovë nuk dhanë leje për një ndeshje futbolli ndërmjet një ekipi të futbollit nga Beogradi dhe një ekipi lokal serb në Graçanicë, afër Prishtinës, që ishte planifikuar për 9 maj.
Federata e Futbollit në Kosovë tha se në të kaluarën ndeshjet e tilla ishin keqpërdorur për të nxitur urrejtje ndaj komunitetit shqiptar.
Nuk është hera e parë që tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në veprimtaritë sportive. Në muajin mars Beogradi anuloi një ndeshje ndërmjet ekipeve të Kosovës dhe Serbisë në hendboll për vajza deri në 20 vjeç, që pritej të luhej afër Beogradit. Autoritetet serbe thanë se anulimi kishte për qëllim shmangien e përplasjeve ndërmjet policisë dhe grupeve që kundërshtonin atë ndeshje.
Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë sportistët e tyre që të bojkotojnë ceremonitë ku janë të përfshirë sportistët e Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës në shkëmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.