Shkarkimi i Hajdarmatajt, Lu: Hetimet për politikanët, pa ndërhyrje politike
Ambasadori amerikan, Donald Lu e ka cilësuar shkarkimin e prokurorit të krimeve të rënda Besim Hajdarmatah një moment kur Shqipëria duhet të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Në përgjigje të interesit të mediave lidhur me këtë çështje, Lu shprehu gjithë mbështetjen e tij dhe të SHBA për prokuroren e re në krye të Krimeve të Rënda.
“Ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike. Prokurorja e Përgjithshme thotë se ka emëruar Znj. Prela në mënyrë që çështjet me përparësi të përfundohen në mënyrë më të shpejtë dhe më të efektshme. Jemi gati të mbështesim një prokurori që ka vullnetin dhe aftësinë të punojë për këto çështje të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit në mënyrë të efektshme dhe pa vonesa”, u shpreh ambasadori amerikan.