Rusia shënon përvjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore
Rusia sot shënoi 73-vjetorin e fitores në atë që e quan “Lufta e Madhe Patriotike”, dita kur në vitin 1945 Gjermania naziste u dorëzua.
Festimet u mbajtën në mbarë vendin, ndërsa në paradën ushtarake në Sheshin e Kuq morën pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Më shumë se 13.000 pjesëtarë të forcave ajrore, detare dhe tokësore ruse, të organizuara në 33 njësi, marshuan nëpër Sheshin e Kuq.
Duke përshëndetur Ditën e Fitores, Putini tha se festimi mbahet për shumë dekada kështu që gabimet që çuan në luftë nuk do të përsëriten.
“Ne kujtojmë tragjedinë e dy luftërave botërore, mësimet e historisë, nuk na lejojnë të bëhemi të verbër. Prapa kërcënimeve të reja janë të njëjtat karakteristika të vjetra të shëmtuara: egoizmi dhe jotoleranca, nacionalizmi agresiv dhe pretendimet për ekskluzivitet. Ne e kuptojmë seriozitetin e këtyre kërcënimeve. Është e rëndësishme për të gjitha vendet dhe gjithë njerëzimin të kuptojnë se bota është shumë e brishtë dhe stabiliteti i saj forcon aspiratën tonë të përbashkët për të dëgjuar, besuar dhe respektuar njëri-tjetrin”, tha ai.
Rusia është e hapur për dialog rreth çështjeve të sigurisë globale për paqen në planet, tha Putin.
Ai falënderoi veteranët për shërbimin e tyre dhe premtoi të vazhdojë punën e tij për prosperitetin e Rusisë./ Anadolu Agency (AA).