Maqedoni: Zaev paralajmëron ndryshime në Qeveri
Reformimi i Qeverisë së Maqedonisë më shumë bëhet për të plotësuar kërkesat e partnerëve të koalicionit qeverisës, sesa për të plotësuar kërkesat e qytetarëve, thonë njohësit e çështjeve politike.
Madje ata thonë se paralajmërimi për reformimin e Qeverisë po bën që Qeveria të mos punojë me kapacitete të plota.
Por kryeminsitri i Maqedonisë Zoran Zaev ka theksuar se reformimi i qeverisë së tij vjen si rrjedhojë e zgjerimit të koalicionit qevrisës, që pritet të përfshijë dhe disa parti më të vogla opozitare, por pa sqaruar se cilat do të jenë ato.
Zaev, zgjerimin e koalicionit qevrisës e ka arsyetuar me shtyerjen përpara të proceseve reformuese në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike.
Përderisa bisedimet po zhvillohen larg syve të opinionit për më shumë se dy muaj, asgjë konkrete nuk dihet se cilat dikastere do të pësojnë ndryshime mes parnerëve të koalicionit qeverisës dhe cilët ministra do të largohen, thonë mediat vëndase.
Njohësi i çështjeve politike, Ali Pajaziti thotë se kjo pasiguri bën që të bllokohet një pjesë e proceseve reformuese për të cilat angazhohet Qeveria e Zaevit.
“Prononcimet zyrtare të kreut të Qeverisë Zoran Zaev, tanimë një kohë të gjatë se do ketë reformim dhe shtyrja disa herë e kësaj, përkatësisht shfaqja permanente e këtij pretendimi në media, krijon një klimë të jostabilitetit tek aktorët e kësaj qeverie, gjegjësisht tek një pjesë e ministrave të cilët rrinë si në thera, të cilët presin çdo moment t’i largojnë dhe nuk mund të japin maksimumin në punën e tyre, sepse natyrisht se një person që e dinë se nuk është i qëndrueshëm në pozitën që ka, do të jetë nën psikozën e etheve të largimit dhe në bashkëpunim këta ministra me vartësit e tyre, nuk mund të pritet performanca maksimale”, thotë Ali Pajaziti, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ndërkohë, kryeministri Zaev ka qenë i prerë se në bisedimet për zgjerimin e koalicionit të tij qeverisës po bisedohet për kuadro me profesionistë, të cilët dinë të menaxhojnë dikastere ministrore, në këtë periudhë të rëndësishme që Maqedonia po kalon, sa i përket procesit të integrimeve.
“Kjo do të thotë kuadro adekuat dhe njerëz adekuat”, është shprehur Zaev.
Por, Mirjana Najçevska nga Fakulteti Juridik në Shkup për Radion Evropa e Lirë thotë se parnerët e koalicionit qeverisës synojnë të përforcojnë pozitat në ekzekutiv dhe aspak nuk mund të thuhet se dëgjohet zëri i kritikave të qytetarëve për keqmenaxhim të dikastereve ministrore, apo zëvendësimi i tyre me kuadro të dëshmuar.
“Emërimi i sërishëm i personave të njëjtë, por në dikastere të ndryshme, është shumë i mundshëm, madje do të thosha shumë i pritshëm, sepse emërimi në krye të dikastereve ministrore nuk ka të bëjë me përgatitjen e tyre profesionale në lëmi të caktuara, por gjithçka ka të bëjë me marrëveshjen politike mes parnerëve të koalicionit qeverisës, dhe asaj sa personat e caktuar janë besnikë ndaj partisë”, thotë Najçevska.
Sipas paralajmërimeve të kreut të Qeverisë, deri në gjysmën e këtij muaji pritet që të konkretizohet ndarja e resorëve ministrorë mes pushtetarëve dhe partive opozitare që pritet të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës.