Bota+Të fundit

Legjioni i huaj Nazist-rekrutët e Himlerit

Nga Ervin Hodo

Në Gusht 1942, me planin “Barbarosa”, në kulmin e zhvillimit të tij, pushtuesi me helmetë dhe me unifomë gri, zvarritej mbi bërrylat e tij duke iu drejtuar majës së bregut, me pistoletën në dorën e tij të djathtë.

“Unë arrita majën e bregut, ndërkohë që pak më tutje një oficer rus ishte duke u zvarritur  saktësisht siç po bëja dhe unë” – kujton ai. “ ne qëlluam në mënyrë spontane! Plumbat e tij më fishkëllyen në vesh. Plumbat e mi, për fatin tim të mirë e goditën kundërshtarin fiks në mes të fytyrës.”

Në janar 1945, në një zonë të pyllëzuar brenda Gjermanisë, një tjetër ushtarak me uniformë gjermane ishte duke zhvilluar duelin e tij me një rus. “Ne filluam të gjuanim njëri-tjetrin duke ulur dhe ngritur kokat tona poshtë e lartë. Më në fund rusi bëri një gabim. Mbase sepse ai ishte tepër dembel, apo ndoshta sepse donte të qëllonte me shpejt, e la automatikun e tij të qendronte i ngritur lart, dukshëm nga ana ime, ndërkohë që u shtri poshtë i mbledhur, duke pritur radhën për të qëlluar. Unë e tërhoqa këmbëzën dhe qëndrova ngritur me gishtin në këmbëzën e armës. Ja, koka e tij ishte përsëri  lart mbrapa armës së tij dhe përpara se ai të kundërvepronte, tashmë kishte një vrimë ndërmjet syve. Koka i ra pas, pastaj u zhyt, u zhduk dhe duart e tij të ngrira lëshuan armën.”

Anjë nga këta burra që luftonin për Hitlerin, nuk ishte gjermanë. I pari ishte një politikan ekstremist, që vinte nga Belgjika naziste e pushtuar. Të tjerët ishin dezertorë nga ushtria neutrale e Suedisë. Ata, ishin midis qindra e mijëra të tjerëve, të cilët për arsye që varionin nga kundërshtimi i dhunës dhe shtypjes në vendet e tyre, e deri tek oportunizmi dhe sadizmi personal, luftuan si pjesë e Legjionit të Huaj, që Henrich Himmler autorizoi të krijohej brenda trupave të tij (Waffen) SS të tij.

Gjetja e rekrutëve

Ambicia ushtarake e Himmlerit, u frustua kur Hitleri mori anën e Komandës së Lartë Ushtarake Gjermane për të dekretuar se Waffen (Ushtarakët) SS, nuk mund të përbënin më tepër se 10% të Wehrmacht (Forcave të Armatosura), për shkak të nevojës për fuqi punëtore. Shefi i zyrës së rekrutimeve të Himlerit, Gottlob Berger, iu paraqit atij me një zgjidhje: të huaj të një rrace të përshtatshme.

“Nuk do të ketë asnjë kundërshtim, nga ndonjë grup brenda Wehrmacht, për një zgjerim të mëtejshëm tonin, nëse ne do të kemi sukses në rekrutimin e asaj pjese të gjermanëve, ose të popullsisë gjermane, që nuk është në dispozicion të Wehrmacht,” – argumentonte Berger. Gjatë luftës, 125000 burra nga Europa Perëndimore e pushtur dhe Skandinavia, do t’i bashkoheshin  Waffen SS, madje vullnetarë pati edhe nga vendet neutrale, mbi 800 nga Zvicra, 130 nga Suedia. Të gjithë këta, iu bindën thirrjes së Himmlerit: “Ju, lini pas dore idealin tuaj kombëtar, për një ideal më të madh racor dhe historik, atë të Rajhut Gjerman.”

Propagandistët gjermanë dhe më vonë apologjistët, do t’i  përshkruanin vullnetarët SS si kryqëzata kundër komunizmit, madje edhe si një NATO të hershme. Pa dyshim që pushtimi i Rusisë, i frymëzoi disa. “Përgjatë Frontit Lindor, lufta kundër armikut botëror, është në lëvizje të plotë,” – do të deklaronte komandanti i vullnetarëve danezë.

Megjithatë, shumë nga rekrutët e parë dolën nga grupet pro-naziste të paraluftës, ndërkohë që përgatitjet për planin “Barbarosa” ishin ende sekrete. Disa ishin ish-ushtarakë ose policë të papunë pas pushtimit nazist të shteteve të tyre. Një studim psikologjik i mëvonshëm, i vullnetarëve holandezë  (Hollanda siguroi 60000 vullnetarë, më shumë se çdo shtet tjetër) zbuloi se motivimi kryesor, ishte i njëjtë më atë që i shtyn individët sot, për tu bërë pjesë e Legjionit të Huaj Francez ose mercenarë: aventura, mërzitja, paraja, ose problemet familjare ose ligjore.

Gottlob Berger pranoi: “ne nuk do të mund të ndalojmë dot kurrë personat që na bashkohen ne, të cilët në fakt nuk janë as nacional socialist dhe as idealistë, por që e ndërmarrin këtë hap  më tepër për arsye materialiste.” Madje edhe vullnetarët më të shquar, me gjithë admirimin e tyre me zë të lartë për Hitlerin dhe urrejtjen për komunizmin, ende kishin arsyet e tyre materialiste për t’iu bashkuar luftimeve.

Viktima të jashtëzakonshme

“Nëse do të kisha një djalë, do të doja që ai të ishte si ty”- do të deklaronte Leon Degrelle t’i kishte thënë atij Hitleri. Degrelle ishte një belg Walloon (frëngjisht folës) dhe lideri karizmatik I lëvizjes fashiste të paraluftës “Rexists”. Për shkak të trashëgimisë së tij franceze, fillimisht nazistët e refuzuan përkushtimin e tij për të punuar për ta, kur pushtuan Belgjikën, por kur Hitleri sulmoi Rusinë ai organizoi një brigadë të vullnetarëve Walloon.

“Ne iu dhamë këtë dhuratë të rinisë tone, në mënyrë që të sigurojmë të ardhmen e vendit tonë në mes të një Europe të rrezikuar”- do të shkruante Degrelle. “Jam i sigurtë se Hitleri, si fitues e ka njohur të drejtën e kombit tone, për të jetuar dhe për të qenë madhështor, një e drejtë që e ka fituar gradualisht me vështirësi, nga gjaku i mijëra vullnetarëve belgë.”

Nazisti belg Leon Degrelle, një veteran me medalje të larta, bisedon me punëtorët e një fabrike në vendlindjen e tij.

Duke shmangur komisionin, pasi ai nuk kishte eksperiencë ushtarake, Degrelle u rekrutua në brigadën e tij si ushtar. Ai do të  fitonte gradën e kolonelit si gradë lufte, u plagos pesë herë dhe fitoi dy herë Kryqin e Hekurt. Në fund të luftës, nga 6000 trupa që shërbyen në brigadën e tij 45% u vranë 53% u plagosën  dhe  Degrelle do të ishte një nga tre të mbijeturit e 800 trupave të parë të rekrutuar.

Degrelle dhe frëngjisht folësit e tij duhej të “luftonin” me Wehrmachtin, derisa të pranoheshin nga  Waffen SS në Qershor 1943. Vullnetarët e parë të huaj të  Waffen SS, luftuan me Divizionin e V-të Tanksist SS “Wiking.” Midis vullnetarëve të huaj të  Waffen SS, 630 hollandezë, 294 norvegjezë, 216 danezë, një zvicerian dhe një 17 vjeçar suedez  Hans Linden, u vranë në aksion me 27 Dhjetor 1941.

Të tjerë, duke përfshirë 2559 hollandezë,1164 danezë 1218 norvegjezë dhe 875 Flemish (gjermanisht -folës) belgë, shërbyen në  Legjionet e Vullnetit të Lirë (Legjione Vullnetare). Zyrtarisht të pavarur, ata kontrolloheshin në mënyre sekrete shpesh edhe në mënyrë të dhunshme nga SS. Përtej fasadës së propagandës së unitetit gjermano-nordik, kundër komunizmit, katolikët Flemish (popullsi hollandeze në Belgjikë) u abuzuan dhe oficerët hollandezë dhe danezë të cilët shfaqnin shumë pavarësi denoheshin, ose largoheshin nga radhët e ushtrisë. “Mungonte çdo nyjë çdo lidhje, midis gjermanëve dhe norvegjezëve” – zbuloi tepër vonë një prej legjionarëve.

Shumë larg standarteve të etnisë dhe rracës perfekte të kërkuar në atë kohë nga Himmleri, legjionarët kishin pak trajnim dhe më pak armë sesa rekrutët Wiking  dhe ata do të dërgoheshin në zona të nxehta të luftës. Rezultatet ishin shkatërruese.Norvegjezët patën 50% viktima, hollandezët 80%,  Flemishët në fund ngelën vetëm 60 veta. Ironia e hidhur historike flet për 121 danezë të vrarë në  Demiansk në Maj 1942, ndërkohë që gjatë rezistencës daneze kundër pushtimit gjerman të Danimarkës në Prill 1940, ishin vrarë vetëm 13 danezë.

Kur danezët parakaluan menjëherë pas kësaj, turmat e Kopenhagenit filloi të tallet me ta.

Ata, nuk ishin të vetmit që shiheshin me përbuzje. Himleri, mësoi se të paktën një e treta e të huajve, ishin përzënë nga gratë ose nga familjet e tyre. Një norvegjez pranoi: “Babai im kishte shumë pak simpati për besimin tim politik. Kaq pak, saqë kur unë u përpoqa ta vizitoja atë në prag të Krishtlindjeve ndërkohë që isha me lejë (nuk e kisha parë atë prej gati shtatë ose tetë muajsh), ai më flaku jashtë.”

Europa Lindore dhe Ballkani

Në Maj 1943, SS  të mbushur me fiksimin e pavarësisë së legjionit, morën masa duke i çmobilizuar ata dhe duke e bashkuar pjesën e ngelur, ose me Divizionin Viking, ose me formacionet e tjera. Deri në atë kohë Himmleri kishte bredhur gjithë Europën Lindore për të kërkuar më tepër Volksdeutch (gjermanë etnikë jashtë Rajhut). Pasi mblodhi dhe rekrutoi 45000 në Rumani, 42000 në Hungari, dhe 17000 në Serbi, ai e bindi veten se estonezët ishin mjaftueshëm gjermanë për të justifikuar rekrutimin e 6500 trupave. Më pas 15000 burra nga Lituania, 30000 nga Ukraina dhe 5300 nga  Sllovakia  ishin vwrtetw impresionues nw fillim. Por ashtu siç doli më vonë rezultati i kësaj, ndoshta Himmleri mund t’ia kishte kursyer vetes lodhjen për këtë punë. Me përjashtim të lituanezëve, njësitë e tjera lindore rezultuan jo të kënaqshme dhe ushtarakisht të padobishme.

Duke synuar më larg sesa fantazitë e tij raciale, Himleri në fakt rekrutoi myslymanë në Ballkan, 26000 nga Bosnja, 6000 nga Shqipëria, të veshur me qeleshe, racione ushqimore të veçanta dhe me hoxhallarë. Sipas logjikës së tij, islami “kishte detyrën e instruktimit të njerëzve, duke iu premtuar atyre parajsën  nëse ata do të luftonin me kurajo dhe do të vriteshin në fushë betejë. Më pak fjalë, kjo është një fe atraktive dhe praktike për një ushtarak!”

Në fakt boshnjakët i vranë instruktorët e tyre gjermanë, ndërkohë që gjysma e shqiptarëve dezertuan, gjysma tjetër u tregua efektivë vetëm në masakrimin e civilëve. Në fund, Himleri  i çmobilizoi ata.

Britanikë, Indianë, dhe Suedezë

Për qëllime propagandistike, Himleri pranoi madje edhe 2000 indianë të kapur në Afrikën e Veriut. “Një shaka!” do t’i  quante ata Hitleri. Pesëdhjetë e tetë individë të lodhur dhe të mbaruar fare, do të nxirreshin jashtë nga kampet e të burgosurve të luftës, duke formuar Korpusin e Lirë Britanik. Drejtuesi i Korpusit rreshteri Thomas Cooper, ndihej  i përbuzur për shkak se kishte mama gjermane dhe kështu iu bashkua Unionit  Fashist Britanik. Në Gjermani, kur filloi lufta, ai ishte një nga të huajt e parë që u pranua në  Waffen SS, duke marrë pjesë në masakrimin e polakëve dhe hebrenjve. Ai u plagos dhe u dekorua përpara se t’i caktohej komanda e këtyre luftëtarëve pijanecë britanikë.

Por, kishte ende disa të zhgënjyer, besimtarë të vërtetë të kauzës që bashkoheshin me SS e Huaj. Një prej tyre ishte një dezertor i ushtrisë nga Suedia. Erik Wallin, kishte qenë pjesë e lëvizjes naziste në shtetin e tij, por thjesht vetëm si ndjekës  i saj. Ai luftoi kundër Rusisë, më përpara se Hitleri apo Leon Degrelle, si vullnetar për Finlandën në Luftën e Dimrit. Në vitin 1943, ai kaloi kufirin për në Norvegjinë e pushtuar për t’iu bashkuar një toge mortajash të kompanisë Suedeze në Divizionin e XI-të SS Panzergrenadier  “Nordland.” Së shpejti, Wallin do të zbulonte se lufta në Frontin Lindor, nuk bëhej më për çrrënjosjen e komunizmit. Në vend të kësaj, ajo ishte kthyer tashmë në një përpjekje për mbijetesë.

Me kombin e tyre të nënshtruar nga Bashkimi Sovjetik gjatë fillimeve të Luftës së Dimrit, burrat finalndezë në rresht gjatë verës së  1941 për t’iu bashkuar Ushtrisë Gjermane dhe për të vazhduar luftën kundër armiqve të urryer komunistë.

Rajhu duke dhënë shpirt

Degrelle dhe Walloonsat e tij luftuan si pjesë e mbrapa rojës gjatë betejës së zhvilluar në xhepin e  Cherkasit në Janar 1944, me vetëm 632 burra të ngelur, nga 2000 trupa që ishin në fillim.“Gjatë tre javëve të rrethimit,unë isha angazhuar personalisht në 17 luftime trup me trup,”- do të shkruante më vonë  Degrelle. “Madje edhe tani më kapin ethet kur kujtoj ato ditë tmerri, trupat e gjakosur dhe kërcitjet e automatikut tim të nxehtë.”

Në vitin 1945, Waffen SS ishte e përbërë në gati gjysmën e saj me të huaj bashkëpunëtorë, ose individë që kryenin punë të detyruar. Njësitë e dëshpëruara Perëndimore, luftuan ndoshta edhe më fort se vetë gjermanët, ndërkohë që formacionet Lindore u copëtuan plotësisht.

Vetë Erik Wallin, u bllokua në Gadishullin e Courlandit në Letoni, duke gjuajtur me mortajat e tij për 10 ditë dhe netë, duke përballuar sulmet ruse. “Me batanijet tona të lagura, në vrapuam nga mortaja në mortajë, për të ftohur tytat e nxehta,” – do të rikujtonte ai.

Degrelle, u evakua përgjatë Balltikut dhe gradualisht u tërhoq për në Berlin me vetëm 40 burra  të kompanisë së tij të ngelur ende gjallë.“Ne luftuam,vrapuam, hapëm transhme, luftuam,vrapuam hapëm transhme përsëri dhe përsëri, gjithmonë dhe pa pushim.… Më pas, “era” nga lindja u ngrit e u ngrit dhe u afrua jashtë mase në mënyrë mizore. Na hodhi përballë dhjetëra mijëra kamionësh amerikanë dhe u ushqye nga miliona tonë furnizime amerikane. Por, ne ende besuam!”

Wallin do të shprehej: “A duhej që pjesa jonë e botës, të shkatërrohej për shkak se një pakicë përkohësisht e fuqishme ishte verbuar?.”

Degrelle, luftoi duke bërë edhe një qendresë të fundit të dëshpëruar për dy muaj gjatë Lumit Oder. “Disa qindra njerëz të ngelur pa gjë fare, të lodhur, në baltë duhej të përballeshin me një stuhi  kundërshtarësh të hipur mbi tanke të panumurt, duke ulëritur, duke përplasur dhe shtypur çdo gjë që iu dilte përballë në rrugën e tyre,”- do të shkruante ai më vonë.

Walloonsat, goditën disa herë me armë kundër tanke, autoblindat dhe tanket sovjetike. Degrelle shmangu me vështirësi një plagë të gjashtë, kur një plumb goditi cepin e jakës së xhaketës se tij dhe i gërvishti lehtas qafën. Duke u drejtuar për në Shtab, për të marrë urdhërat, ai u përball me një kolonë të tankeve sovjetikë  dhe iu desh të kthente timonin për t’u larguar me shpejtësi. Brenda një dite të vetme, një batalion  Walloon pësoi  94%  viktima 615 nga 650. Degrelle, më në fund arriti të arratiset me të mbijetuarit në Danimarkë, më pas i la ata për të kërkuar Himlerin për urdhërat e rinj. Shumë shpejt, pasi mësoi për vdekjen e Hitlerit dhe me trupat e tij të kapur papritur pas rrethimit të verilindorëve europianë, ai lëvizi për më në veri në drejtim të Norvegjisë.

Rënia e Ushtrisë së SS të huaj

Lëvizja e SS të Huaj, pati një fund apokaliptik në rrethinat e Berlinit. Spanjollët ultra konservativë  të ardhur nga  Divizioni Blu i gjeneralit Francisco Franco, ranë duke luftuar përreth Kancelarisë së Rajhut. Një kontigjent prej 330 francezësh, mbrojti selinë e Gestapos në Albrechstrasse; një prej tyre, një hidraulik 20-vjeçar, Eugene Vanlot, iu dha Kryqi i Kalorësit në një ceremoni të zhvilluar në një qoshe rruge me motivacionin  për shkatërrimin e tetë tankeve sovjetike në 24 orë. Fati i tij, u nënshkrua tri ditë më vonë, pasi një plumb i mori jetën.

Një gjeneral SS inspektoi britanikët dhe i vlerësoi ata si të papërshtatshëm për luftim. Në vend të kësaj, ata u përdorën për të punuar si shoferë kamionash, drejtues trafiku dhe evakues civilësh, ndërkohë që përfituan nga mundësia për të evakuar edhe vetën gjithashtu.

Erik Wallin, gjithashtu u kap në vorbullën e Berlinit. Kryqëzata e tij personale, erdhi në një përfundim mahnitës: “Ne sapo kishin vendosur këmbët tona në hyrje të një bodrumi, kur e gjithë ndërtesa u shemb mbi ne. Një presion i fortë ajri, na i hoqi helmetat nga koka dhe ne papritur ishim gjysmë të djegur. Unë u përpoqa të çohem mbi këmbët e mia por…dështova.”

Shpërthimi, i kishte shkaktuar një plagë të rëndë në këmbën e tij të majtë. I ndihmuar nga një grua gjermane, ai ecte me vështirësi i veshur me një kapotë ngjyrë gri, pa pantallona, i pa rruar dhe me mitralozin që i varej në gjoks. Atij iu ofrua azil, por vendosi të kthehej  duke gjetur një shkollë që përdorej si spital. Ai u shtri për tre ditë në një  krevat, duke dëgjuar se si Beteja e Berlinit ishte humbur.

Çmimi i Bashkëpunimit

Me përfundimin e luftës, filloi edhe hakmarrja. SS franceze, që po marshonin për tu kthyer në Francë, u përballën me Francezët e Lirë. Fjala u përhap që ata po ktheheshin dhe komandanti i Francezëve të Lirë, i goditi sapo u shfaqën. Estonezët dhe Letonezët, u ekzekutuan menjëherë nga duart e Stalinit. Nga mbetja e rreth 3000 burrave italianë, rebelë të rekrutuar pas rënies së Musolinit, gjysma e tyre u rrethuan nga Anzio dhe u masakruan nga partizanët deri në njeriun e fundit. Një oficer i plagosur, u tërhoq zvarrë nga krevati i spitalit dhe më pas u masakrua.

Ata që arritën të kthehen në shtëpi, u bënë subjekt i përjashtimeve, humbje e përjetshme e të drejtave civile, dhe në disa raste burgim, ose edhe më keq akoma. Komandanti i Legjionit të Vullnetarëve Danezë, u ekzekutua dhe të tjetër u dënuan me burgim deri në 10 vjet. Në Britani, Thomas Cooper, u dënua fillimisht me vdekje, më pas u dënua me burgim të përjetshëm dhe në vitin 1953 do të lirohej, ndërkohë që tre kriminelët e tjerë, u dënuan me 15 vjet burgim.

Erik Wallin, ia doli të arratisej nga rusët. Legata suedeze e veshi atë me rroba civile dhe e pajisi me pasaportë suedeze, kështu ai qe në gjendje t’i  shpëtonte kapjes. Duke u fshehur në Berlin, për dy javë, ai takoi komandantin e tij të kompanisë dhe të dy u drejtuan në Perëndim drejt Lumit Elbe ku Kryqi i Kuq. i regjistroi ata si italianë për të kaluar.

Pasi u kthye në Suedi, Wallin shumë shpejt do ta gjente veten në burg, me akuzën e vjedhjes së pronës shtetërore, pikërisht të uniformës me të cilën ai kishte dezertuar. Ai, kreu disa muaj të vështirë burgu, kur  të burgosurit e tjerë e përdornin atë si thes boksi, ndërkohë që rojet bënin sikur nuk shikonin.

Edhe pse eksperienca që ai kaloi, do të kishte qenë e mjaftueshme për çdo njeri, kjo nuk ishte e mjaftueshme për Wallin, kështuqë ai e kaloi pjesën e mbetur të jetës me aventura nëpër botë. Edhe pse i mbijetoi luftës, ai vdiq midis shokëve të tij në Nordland, duke u rrëzuar në tokë i vdekur nga një atak kardiak gjatë një feste ribashkimi, në Gjermani.

Leon Degrelle, gjithashtu u arratis. Pasi arriti në Oslo, ai fluturoi për 1500 milje përgjatë Europës në V-E Day,(Fitore në Europe ang.Victory in Europë), duke u përplasur në një plazh në Spanjë, pasi kishte ngelur pa karburant.

Ndryshe nga Wallin, Degrelle nuk do të kthehej më kurrë në Belgjikë, ku ai kishte marrë dënim me vdekje. “Ne luftuam për Europën, fenë e saj, për civilizimin e saj. Herët apo vonë Europa dhe bota ka për ta njohur drejtësinë e kauzës tonë dhe pastërtinë e dhuntisë tonë” – shkroi ai i rebeluar. Pa pikë pendese, në fund të jetës së tij në moshën 87 vjeçare në vitin 1994, përgjigja e tij, nëse ai kishte ndonjë ndjenjë keqardhje apo pendimi ishte: “Vetëm atë humbëm.”