Ekstradimi i Izet Haxhisë, Rama: Çështje e drejtësisë, le të provojë akuzat
Reforma në Drejtësi po vijon me implementimin në terren, teksa ka filluar tashmë pastrimi i gjykatave dhe prokurorive nga punonjësit e korruptuar, ndërsa pritet të vijojë me policinë e shtetit dhe politikanët.
Mes debateve të shumta për këtë reformë dhe mënyrën sesi po aplikohet, gjatë ditës së djeshme ka mbërritur në Tiranë ish badigardi i Sali Berishës, Izet Haxhia, i ekstraduar nga Turqia, me kërkesë të autoriteteve shqiptare.
Haxhia ka edhe një luftë të hapur akuzash me ish kryeministrin Sali Berisha, të cilin e akuzuar për përfshirje në krime që kanë mbetur të pazbardhura në vendn tonë.
Vetë Sali Berisha u kundërpërgjigj sot dhe tha se Haxhia është një kriminel i vendosur në krah të Ramës dhe që punon për interesa të tij, gjë që kryeministri e mohoi plotësisht.
“Çfarë mund të them unë për këtë rast. Na del që unë jam e gjithë e keqja e këtij vendi edhe në rastin e Izet Haxhisë, ndërsa Sali Berisha, një njeri që populli e largoi nga puna me një milionë shuplaka, rezulton të jetë një njeri i pastër qelibar”, deklaroi Rama.
Kryeministri mohoi të ketë ndikuar te Erdogan për ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri, ndërsa shtoi se është tërësisht jashtë kësaj çështjeje, që tashmë i takon drejtësisë.
“është tërësisht qesharake për t’u menduar që unë mund të investohem për të sjellë në Shqipëri nëj person, që nuk e shoh që prej vitit 1992. Për fat të mirë që nuk ka qenë badigardi im. Unë jam tërësisht jashtë kësaj çështjeje, pasi i përket drejtësisë. Ai person, nëse ka diçka për të vërtetuar, le ta bëjë, ndërsa nëse i ka pasur vetëm fjalë, të heshtë”, u shpreh Rama./TCH