AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Arta Marku, kamikazja e Ramës. Po bën gjithçka për të mbrojtur Tahirin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar një kamikaze të vënë në shërbim të Ramës kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku pas vendimit të kësaj të fundit për të shkarkuar kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Shkëlqim Hajdarmataj, njëkohësisht prokurori që po hetonte dosjen Tahiri.

Sipas Bashës, vendimi vjen pikërisht në ditën kur KQZ i hoqi zyrtarisht mandatin e deputetit Sajmir Tahirt çka i jepte mundësinë prokurorisë që ta hetonte.

“Tahiri do të heshtë për gjërat që di, ndërkohë që Rama do t’i sigurojë paprekshmërinë. Mbrëmë Rama deklaroi publikisht se nuk ka prova për Tahirin. Sot kamikazja e Ramës njoftoi shkarkimin e drejtuesit të prokurorisë që hetojnë Tahirin që u zëvendësua nga një tjetër kamikaze e Ramës. Shkarkimi vjen vetëm pak ditë pasi prokuroria mori në pyetje shoferin e Tahirit, ditën kur prokuroria nuk kishte më nevojë për autorizimin e Ramës pasi KQZ konfirmoi heqjen e mandati të Tahirit. Vjen ditën që PD denoncoi ndihmën që Xhafaj po i jep vëllait të tij që rezulton i dënuar për trafik kokaine”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit, Rama po bën gjithçka të shpëtojë Saimir Tahirin dhe lëvizja e fundit, sipas tij, është bërë në shkelje me ligjin, veprim për të cilin Basha thotë se do të mbajë përgjegjësi Arta Marku.

“Emërimi i kamikazes së re të Ramës janë bërë në shkelje flagrante të ligjit. Prokurori i Përkohshëm nuk mund të marrë vendimin që ka marrë sot. Është një vendim i paligjshëm. Prokuroria e Edi Ramës do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë. Ky vendim është i Edi Ramës që kontrollon plotësisht Markun. E gjithë struktura e prokurorisë tashmë është nën kontrollin e Ramës dhe synimi është mbrojtja e Tahirit, vëllait të Xhafajt dhe Olsi Ramës”, tha Basha.