Life StyleTë fundit

Ajo që nuk të vret …

Shumica me siguri e kanë dëgjuar thënien: “Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”. E gjen, në forma të ndryshme, në këngë dhe filma të suksesshëm. Ka tingëllimën e një psikologjie pop sfiduese, një nga ato lloj gjërash që mund ta shohësh në postera motivues (apo një tatuazh).

Në fakt, origjina e kësaj fraze është më e spikatur – fillimisht është shfaqur në librin e shkurtër të filozofit gjerman Fridrih Niçe, “Perëndimi i idhujve”. Por ky citim, i cili ka hyrë në vetëdijen publike nuk është i plotë, ashtu si e ka shkruajtur filozofi. “Nga shkolla e vjetër ushtarake e jetës. Ajo që nuk më vret, më bën më të fortë”.

Çfarë nënkuptonte ai me “shkolla ushtarake e jetës?” A mund të dallohet pakëz ironi, në zërin e Niçes? Në fund të fundit, kjo thënie e famshme është vetëm njëra prej frazave të shkurtëra, që i lexon në një kapitull të shkurtër hyrës, me titull “Maksima dhe Shigjeta”. Të tjera maksima të tij përfshijnë: “Ndihmo veten. Pastaj gjithë të tjerët do të të ndihmojnë. Parimi i bamirësisë së krishterë”.

Niçe, sigurisht, e përbuzte moralitetin judeo-kristian. A mos vallë me shprehjen “ajo që nuk të vret”, ka dashur të shfaqë përbuzjen edhe për një filozofi ushtarake mashkullore, që i jepte vlerë dhimbjes dhe vuajtjes?

Si gjithmonë me Niçen, kuptimi i tij i saktë është i shumëkuptimtë. E qartë është se, ai nuk e konsideronte veten një pesimist. Në kapitullin e dytë të “Perëndimi i Idhujve”, ai sulmon një vijë filozofësh, nga Sokrati tek Shopenhaueri, filozofinë e të cilëve Niçe e lidhte me vetëm një mendim: se jeta është e pavlerë. Në fund të fundit, fjalët e fundit të Sokratit, dukej se nënkuptonin që jeta e tij kish qenë një sëmundje, dhe se vdekja ishte kura për këtë sëmundje. Pyetja e Niçes ishte e thjeshtë: po të shohim më nga afër, tek këta “burra të lashtë e të urtë”, që dukej se e mendonin jetën si sëmundje – a mos vallë janë ata vetë të sëmurët? “NP” – Bota.al