5 vendet nënshkruese; ‘Marrëveshja me Iranin’, në fuqi
Të pesta fuqitë botërore nënshkruese të marrëveshjes ndërkombëtare që ka si synim frenimin e zhvillimit të armëve bërthamore të Iranit, thanë të mërkurën se mbeten të përkushtuar ndaj saj, një ditë pasi Presidenti amerikan, Donald Trump e kritikoi ashpër atë dhe i nxorri Shtetet e Bashkuara nga pakti.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte për të ardhur keq që Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja e vitit 2015 dhe tha se Berlini do “të përpiqej të bënte gjithçka, në mënyrë që edhe Irani të plotësojë angazhimet e veta në të ardhmen”.
Ajo tha se dalja e zotit Trump nga marrëveshja “na tregoi edhe një herë se ne do të na duhet të përballemi me më shumë përgjegjësi në Evropë, përsa i takon politikës së jashtme, për garantimin e paqes dhe në drejtim të zgjidhjeve politike që duhet të gjejmë”.
Sekretari i Jashtëm Britanik, Boris Johnson u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara “që të shmangin ndërmarrjen e hapave që do të pengonin palët e tjera të vazhdonin të punën për mbarëvajtjen e marrëveshjes”, duke thënë se ajo ishte “jetike” për sigurinë kombëtare të Britanisë.
Zoti Johnson tha se i takon administratës amerikane që “të paraqesin pikëpamjet e tyre për hapat e ardhshëm”.
Kremlini tha se Presidenti rus, Vladimir Putin shprehu “shqetësim të thellë për vendimin e zotit Trump dhe theksoi përsëri rëndësinë e këtij dokumenti”.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha për radion RTL se marrëveshja është ende “në fuqi”. Ai tha se presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti iranian Hassan Rouhani do të bisedonin me njëri-tjetrin të mërkurën dhe se ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë do të diskutonin të hënën me zyrtarët iranianë për situatën.
Ministria e jashtme e Kinës premtoi të sigurojë zbatimin e marrëveshjes së vitit 2015 të njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) dhe shprehu keqardhje për vendimin e presidentit Trump që Shtetet e Bashkuara po largohen nga marrëveshja.
Përveç këtyre veprimeve diplomatike, ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Gjermanisë do të zhvillojnë bisedime të enjten në Moskë dhe Irani do të jetë në axhendën e bisedimeve.
Në një deklaratë të përbashkët të Bashkimit Evropian thuhet se marrëveshja deri tani ka funksionuar për të përmbushur qëllimin e saj, për të siguruar se Irani nuk zhvillon armë bërthamore dhe se heqja e sanksioneve ndaj Iranit ka pasur një ndikim pozitiv në tregtinë dhe marrëdhëniet e Teheranit me vendet e tjera.
Në njoftimin e tij për tërheqjen nga marrëveshja, presidenti Trump e cilësoi atë si “një marrëveshje të tmerrshme dhe të njëanshme që kurrë nuk duhet të ishte arritur”.
Ai tha se marrëveshja, e arritur nga ish-presidenti Barak Obama, “nuk solli qetësi, nuk solli paqe dhe asnjëherë nuk do ta arrijë këtë”.
Në fjalimin e tij nga Dhoma Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë, presidenti deklaroi se Shtetet e Bashkuara po rivendosin menjëherë të gjitha sanksionet që lidhen me aktivitetin bërthamor të Iranit që ishin hequr si pjesë e marrëveshjes.
Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis tha në një seancë të Kongresit të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë në krah të aleatëve dhe partnerëve tanë për t’u siguruar që Irani të mos ketë kurrë një armë bërthamore dhe do të punojë me palët e tjera për t’i bërë ballë ndikimit keqdashës të Iranit. Administrata jonë mbetet para së gjithash e përkushtuar ndaj sigurisë, interesave dhe mirëqenieve të qytetarëve tanë”.
Brenda parlamentit të Iranit të mërkurën, vendimi i presidentit Trump “u përshëndet” me ligjvënësit që i vunë zjarrin një cope letre me një fotografi të flamurit amerikan, si dhe një tjetër letre që përfaqësonte marrëveshjen bërthamore.
Kryetari i parlamentit, Ali Larijani tha se departamenti bërthamor i Iranit duhet të jetë i gatshëm të rifillojë të gjitha aktivitetet e tij.
Presidenti Rouhani tha më parë se Irani do të mbetet i angazhuar ndaj marrëveshjes shumëpalëshe.
Vendimi i presidentit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja erdhi pavarësisht thirrjeve nga disa prej aleatëve më të afërt të Amerikës në Evropë për të mos e rrezikuar marrëveshjen. Presidenti Trump dhe figurat konservatore pranë tij, si Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, kanë qenë mbështetës të zjarrtë për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se administrata Trump kishte bërë “përparim të mirë” dhe “ishte afrua” në përpjekjet për të arritur një marrëveshje plotësuese me partnerët evropianë gjatë muajve të fundit, duke përfshirë edhe çështjen e raketave balistike dhe çështjet rajonale. Por zyrtari tha se pika e fërkimit që pengoi një marrëveshje ishte e ashtuquajtura klauzolë e afatit të marrëveshjes bërthamore që lejon që disa dispozita të skadojnë pas një numri të caktuar vitesh.
Izraeli, që besohet të jetë i vetmi vend në Lindjen e Mesme me një arsenal bërthamor, gjithashtu ka mbështetur retorikën e presidentit Trump për marrëveshjen.
Ish presidenti Obama, administrata e të cilit udhëhoqi negociatat intensive për të arritur marrëveshjen, e quajti veprimin e presidentit Trump “të gabuar”.
“Unë besoj se vendimi për të vënë marrëveshjen bërthamore në rrezik pa asnjë shkelje të saj nga pala iraniane është një gabim serioz,” paralajmëroi zoti Obama në një deklaratë.
Menjëherë pas deklaratës së presidentit Trump, Departamenti i Thesarit njoftoi “dispozita përmbyllëse” për kontratat ekzistuese që vendet evropiane kanë me Teheranin për të shmangur kundërshtimin e rregullave bankare të Shteteve të Bashkuara.
[[https://www.treasury.gov/resource-center/sanctions/Programs/Pages/iran.aspx]]
Sipas këtyre dispozitave, pas gjashtë muajsh do të rivendosen sanksione në sektorin e naftës, lëndëve petrokimike dhe transportit të Iranit si dhe me bankën qendrore. Sanksionet përfshijnë blerjen e kartëmonedhave amerikane nga Irani, tregtinë e arit ose metaleve të çmuara si dhe furnizimin e Iranit me alumin ose çelik.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se sanksione të reja shtesë janë të mundura “, ndërsa dalin në dritë informacione të reja”.
Veprimi i ndërmarrë nga presidenti Trump i lejon atij të thotë se ka përmbushur një nga premtimet e fushatës zgjedhore të vitit 2016, duke i larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja që ai e konsideronte vazhdimisht si “marrëveshjen më të keqe të arritur ndonjëherë”.
Përkrahësit e marrëveshjes e akuzojnë presidentin Trump për keqinterpretimin e klauzolave të marrëveshjes, duke debatuar se ajo ka ngrirë me sukses zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit. Ata gjithashtu thonë se prishja e marrëveshjes mund të nxisë një garë të armëve bërthamore në rajon.
Njoftimi i presidentit Trump u bë ndërsa ai përgatitet të takohet – ndoshta pas rreth një muaji – me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme të carmatimit bërthamor.