Turi i llogaridhënies, Rama: Do të doja të ishte më i vështirë
Kryeministri Edi Rama, i ftuar sonte në emisionin ‘Top Show’, në Top Channel, foli për çështjet më të rëndësishme të aktualitetit politik në Shqipëri.
Ditën e sotme kryeministri Rama ishte në Laç dhe Lezhë, ku llogaridhënia nuk ishte aspak e lehtë, gjë që e pranoi edhe ai vetë në studion e Top Show-t.
“Unë në fakt do të dëshiroja të ishte akoma më e vështirë llogaridhënia, pasi është shumë e rëndësishme që të ketë një komunikim shumë të drejtpërdrejtë. Synimi i këtij turi është për të parë se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të shkojmë. Normalisht që ka nëj mosbesim, pasi njerëzit prej 20 vitesh mashtrohen dhe nuk gjejnë zgjidhje. Ne sot u kemi dhënë njerëzve në dorë një instrument që na jep mundësinë edhe teknologjia. Me ‘Platformën e Bashkëqeverisjes’, qytetari ka në xhep apo në telefonin e tij të gjithë qeverinë dhe çdo ministër. Nëse qytetarët vërejnë probleme me funksionimin e administratës, duhet të prezantojnë problemin në këtë platformë dhe brenda 10 ditësh do të marrin përgjigje dhe zgjidhje problemi, pa pasur nevojën e miqve apo rryshfeteve”, deklaroi Rama.